VIDEO - Vërshimet në Pejë, qytetarja: Uji po godet fuqishëm shtëpinë tonë

Peja është në mesin e komunave më të prekura nga vërshimet që kanë përfshirë Kosovën të dielën, për shkak të reshjeve të shiut.

Uji depërtoi në shtëpitë e banorëve në lagjen Puhovc, në rrugën “Lekë Dukagjini” në Pejë.

Banorja e kësaj lagjeje, Irma Muriq ka raportuar në KALLXO.com për gjendjen nga vërshimet me të cilën po përballen edhe në orët e mbrëmjes. Sipas saj uji po “godet fuqishëm” shtëpinë e tyre.

Ajo thotë se nuk kanë marr ndihmën e nevojshme nga institiucionet komunale.

Muriq thotë se niveli i ujit është vazhdimisht në rritje.

“Ne jemi në qendër, lagjia Puhovc, rruga Lekë Dukagjini. Vërshimet kanë përmbytur tërë këtë pjesë qysh nga orët e hershme. Kur them këtë pjesë, është shtëpia në pyetje. Qysh nga ai moment kemi kontaktuar shërbimin emergjent dhe zjarrfikësit, ndërsa ata nuk vinin”- thotë ajo.

Qytetarja thotë se ka kontaktuar edhe kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherin, por që sipas saj, i njëjti nuk është përgjigjur.

“Kemi kontaktuar edhe kryetarin Gazmend Muaxherin, i cili është përgjegjës për këtë situatë, nuk na është përgjigjur. Tërë këtë kohë jemi munduar vetë të ndalojmë ujin disi. Kemi mbaruar barrikada, kemi ble thasë me zall, e kemi nxjerrë ujin jashtë e kështu me radhë, pra i kemi shtjerrë plot mundësi vetë, ndërsa ndihma nuk vinte”- ka thënë ajo.

Qytetarja ka thënë se zjarrëfikësit kanë intervenuar me vonesë duke iu dëguar disa thasë për të ndalur ujin.

“Dikur më vonë kanë ardhur zjarrfikësit dhe kanë thënë se nuk kanë se çfarë të bëjnë, kanë sjellë vetëm disa thasë dhe kanë shkuar. Në ndërkohë është rritur shumë niveli i ujit (si pasojë e vërshimeve që nuk ndaleshin) dhe kanë rrëzuar barrikadën e cila edhe pse shumë pak, pasi ishte e bërë me gjëra që kishim afër, po e mbronte shtëpinë. Shtëpisë mbi ne, qysh prej mëngjesit ka kishe marrë oborrin komplet uji dhe tashmë jemi ne shtëpia e parë në buzë të Bistricës të cilën e godet lumi”- është shprehur ajo.

Në lidhje me këtë, në një përgjigje për KALLXO.comi pari i Komunës Pejës, Gazmend Muhaxheri tha se ekipet janë në terren edhe në këto momente dhe se për këtë rast nuk është në dijeni.

Ndërkaq gjatë ditës, Muhaxheri ka shkruar në Facebook se reshjet kanë shkatuar vërshime në disa zona të qytetit dhe sipas tij, situata është e menaxheshme e ekpiet janë në gjendje gatishmërie.

“Reshjet e mëdha atmosferike nga nata e mbrëmshme shkaktuan vërshime në disa zona të qytetit të Pejës. Megjithatë, situata aktualisht është e menaxhueshme dhe ekipet tona janë në gjendje gatishmërie”- ka shkruar Muhaxheri.

Në lidhje me ankesën e qytetares KALLXO.com ka kontaktuar edhe me drejtorin për Mbrojtje dhe Shpëtim, Gëzim Gashin.

Gashi tha se i janë përgjigjur secilit rast që ka thirrur për ndihmë duke shtuar se ndoshta nuk kanë mundur që të ndalin gjithë rrjedhën e ujit pasi sipas tij “është shumë problem me mbajtë krejt qytetin në menaxhim”.

“Ju kemi përgjigjur në secilin rast që ka thirr, kemi dal edhe në teren. Çka kemi mujtë me vepru kemi vepru, ndoshta nuk kemi mujtë me ndal krejt rrjedhen e uijt se është shumë problem me mbajtë krejt qytetin në menaxhim”- tha Gashi.

KALLXO.com sot gjatë ditës ka raportuar për vërshime në komunat Skenderaj, Vushtrri, Malishevë, Mitrovicë e Jugut, Pejë e Deçan.