Vazhdon Gjykimi i Babait dhe Birit të Akuzuar për Vrasje të Dyfishtë

Të akuzuarit, që janë babë e bir, akuzohen për vrasjen e vëllezërve Rexhep e Burim Ramaj në fshatin Shaptej të Deçanit.

Gjatë seancës së sotme, Kosovare Kelmendi, avokate e Sali Lushajt tha se aktakuza është në kundërshtim me vetveten. “Dispozitivi i aktakuzës është në kundërshtim edhe me vetveten edhe me provat e saj”, tha Kelmendi.

Avokatja tha se meqë nuk dihet saktë në cilën kohë ka ndodhur vrasja – nuk është plotësuar kushti i parë i aktakuzës.

Po ashtu, meqë nuk janë përshkruar veprimet individuale të asnjërit prej të akuzuarve avokatja kërkoi që aktakuza të kthehet dhe të ndryshohet nga Prokuroria.

“Unë konsideroj që është dashur të përshkruhet saktë veprimi i secilit të akuzuar nëse eventualisht kanë shtënë të dy. Ku, cili ka shtënë apo cilën plagë e ka shkaktuar”, tha ajo.

Avokatja gjithashtu e konsideroi provë të papranueshme raportin e hetuesit policor i cili e kishte marrë në pyetje klientin e saj pa praninë e avokatit të tij, por në prani të avokatit të të akuzuarit tjetër.

Për shkak se kërkesa me shkrim e avokates ishte dorëzuar me vonesë prokurorja e rastit Valbona Haxhosaj-Disha nuk kishte pasur mundësi të kthejë përgjigje.

Gjyqtari i rastit, Sali Berisha, tha se do të presë edhe disa ditë përgjigjen e prokurores.

“Nga prokurorja e rastit do pres edhe disa ditë që të marrim edhe një përgjigje nga ana e saj dhe në bazë të këtyre kërkesave do të vendosim me aktvendim të formës se shkruar me të cilin do ju njoftojmë edhe keni të drejtën e ankesës”, tha gjyqtari Berisha.

Gjatë seancës gjyqtari Berisha tregoi se edhe avokati i Durim Lushajt, Ndrec Dodaj, ka bërë kërkesë për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës.

Po ashtu, sipas gjyqtarit, avokati Dodaj ka propozuar që klientit të tij t’i bëhet ekzaminimi psikiatrik në Institutin Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë.

Sipas përgjigjes me shkrim të Prokurorisë, kërkesat e avokatit Dodaj janë cilësuar si të pabaza dhe Gjykatës i propozohet që mos t’i marrë për bazë ato.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Pejës Durim Lushaj akuzohet për vrasjen e Rexhep Ramajt me armë zjarri. I njëjti sipas aktakuzës pasi kishte privuar nga jeta Rexhep Lushajn bashkë me Sali Lushajn akuzohet edhe për vrasjen e Burim Ramajt me armë zjarri.

KALLXO.com kishte raportuar në gusht të vitit të kaluar për vrasjen e dyfishtë që kishte ndodhur në fshatin Shaptej të Deçanit pas një zënke mes kushërinjsh.

http://kallxo.com/zenka-e-kusherinjve-qe-shkrepi-plumbat-te-fqinjet/

Po ashtu KALLXO.com në nëntor të vitit të kaluar raportoi se familja Lushaj nga frika e hakmarrjes kishte ndalur katër fëmijët e saj të shkojnë në shkollë.

http://kallxo.com/frika-nga-hakmarrja-le-kater-femije-te-lushajve-pa-shkolle/

Një ditë pas, ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, kishte theksuar se kryetari i Komunës së Deçanit  duhet të marrë masa që këtyre fëmijëve t’u mundësohet vijimi i procesit mësimor.

http://kallxo.com/masht-ia-hedh-komunes-pergjegjesine-per-nxenesit-e-ngujuar/