Gjykimi për vrasjen e dy vëllezërve në Shaptej të Deçanit, Gjykata urdhëron që të akuzuarit t'i bëhet superekspertizë psikiatrike

Gjykata e Pejës ka urdhëruar që t’i bëhet superekspertizë psikiatrike Durim Lushajt, i cili po akuzohet për vrasjen e Rexhep dhe Burim Ramajt.

Kjo pasi pjesë e shkresave të lëndës janë dy ekspertiza me konstatime krejtësisht të ndryshme për gjendjen mendore të Durim Lushajt në momentin kur ka ndodhur rasti.

Në këtë çështje penale, babai i Durim Lushajt, Sali Lushaj, po ashtu akuzohet se së bashku me Durim Lushajn ka kryer vrasjen e Burim Ramajt.

Sot para Gjykatës doli drejtori i Institutit të Forenzikës Psikiatrike, psikiatri Shpend Haxhibeqiri, i cili është kryetar i komisionit që ka bërë ekzaminimin e fundit psikik të Durim Lushajt.

Haxhibeqiri tha se i akuzuari e ka pasur të ruajtur aftësinë e tij mendore të kontrollit dhe të të kuptuarit të veprimeve në momentin e kryerjes se veprës.

“Nuk kemi gjetur çrregullim të përkohshëm apo të përhershëm psikik që kishte me ndikuar në aftësinë e tij mendore të të kuptuarit dhe kontrollës se veprimeve të tij, për veprën për të cilën ngarkohen i njëjti aftësia e tij mendore e kontrollës dhe e të kuptuarit të veprimeve të veta në momentin e kryerjes se veprës ka qenë e ruajtur”, tha eksperti.

Eksperti tha se deri të ky konstatim ka ardhur pas analizimit të të gjitha shkresave të lëndës si dhe personalitetit të të akuzuarit Lushaj.

Mbrojtësi i Durim Lushajt, avokati Sali Mekaj, nuk u pajtua me këtë konstatim të ekspertit. Ai e pyeti ekspertin nëse lëndimet e prindit mund të përbënin rrethanë që personi të bjerë në afekt në kryerjen e veprës.

Eksperti tha se Durim Lushaj nuk i ka plotësuar kushtet për afekt mendor, pasi sipas tij për t’u plotësuar afekti mendor duhet kaluar në tri faza dhe Sali Lushaj nuk ka qenë prezent në fazën e parë të afektit.

“Durim Lushaj nuk i ka plotësuar kushtet për afekt mendor se gjatë fazës së afektit pala në atë grumbull njerëzish nuk di ku gjuan po veç shkrepë dhe ndahet gjendja pas afektit, personi dorëzohet dhe nuk është në gjendje të hypë në veturë të vozis automjetin dhe të largohet nga vendi dhe të shkojë në mal nëse nuk gaboj që aty ka shku”, shtoi ai tutje.

Në këto rrethana, avokati Sali Mekaj kërkoi që kjo ekspertizë të shpallet provë e papranueshme pasi sipas tij nuk është përpiluar në përputhje me dispozitat ligjore.

Gjykata ka refuzuar këtë propozim por përmes aktvendimit ka urdhëruar kryerjen e një superekspertize, edhe ky propozim i avokatit Mekaj.

Durim Lushaj pati vërejte në ekspertizën e prezantuar nga Haxhibeqiri.

“Unë jam viktimë ose e gjykatës ose e ekspertëve më herët. Eksperti më ka thënë se e kishe gjykatësen e vështirë, dhe unë po du me ditë nga eksperti këtu a është luftë mes ekspertëve të parë apo ju ka tutë gjykatës”, tha Lushaj.

Eksperti lidhur me këtë tha se nuk ka të bëjë me rivalitet mes ekspertëve, e gjitha puna ka qenë profesionale, ndërsa trupin gjykues tha se është hera e parë që e takon.

Ndërsa i dëmtuari Tafë Ramaj nuk pati vërejtje në ekspertizën e prezantuar sot para Gjykatës.

“Kërkojmë ndihmë nga shteti, ma kanë vra vëllanë me thika e plumba, e vazhdojnë më na kërcënu, kërkojmë mbrojtje nga shteti”, tha Ramaj.

Seancat e radhës u caktuan për datën 30 shtator, 4 dhe 8 tetor.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Pejës, Durim Lushaj akuzohet për vrasjen e Rexhep Ramajt me armë zjarri.

I njëjti, sipas aktakuzës, pasi kishte privuar nga jeta Rexhep Ramajn, bashkë me Sali Lushajn akuzohet edhe për vrasjen e Burim Ramajt, po ashtu me armë zjarri.