Durim Lushaj pranon se ka kryer vrasjen e dyfishtë në Shaptej: Nuk e bëra me dashje

Durim Lushaj i akuzuar për vrasjen e dyfishtë të Rexhep dhe Burim Ramajt në fshatin Shaptej të Deçanit, ka pranuar se ka kryer vrasjen, porse ka thënë se këtë e ka bërë pa dashje.

“I pranoj të dy vrasjet, por jo me dashje”, u deklarua Durim Lushaj, para trupit gjykues në seancën e sotme mbajtur në Gjykatën e Pejës. Procesi gjyqësor ka filluar nga pika zero, në të cilin, pos Durim Lushajt, akuzohet për vrasje edhe babai i tij Sali Lushaj.

Shkak i rifillimit të këtij procesi, është bërë ndërrimi i trupit gjykues, pas vdekjes së anëtares, gjykatëses, Lumutrije Muhaxheri, në vend të së cilës është caktuar gjykatësi Shaqë Curri.

Për dallim nga Durim Lushaj që pranoi vrasjet, babai i tij, Saliu, nuk e pranoi fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë.

Me propozimin të prokurorit Haxhi Sinanaj, e pa kundërshtim nga mbrojta, trupi gjykues përmes aktvendimit ka konstatuar si të lexuara provat në këtë dosje penale.

Gjykimi ka vazhduar me dëgjimin e ekspertit Naim Hoxha lidhur me ekspertizën psikiatrike të vitit 2028.

Duke u përgjigjur në pyetjet e kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Violeta Husaj – Rugova, eksperti tregoi për rolin e tij në punim të ekspertizës dhe faktin se ai nuk ka dhënë mendim për gjendjen mendore të akuzuarit Durim Lushaj.

“Roli im në këtë ekspertizë ka qenë që të bëjë një vlerësim rreth rastit në fjalë, rreth zhvillimit, historisë së rritjes së personit apo të ekzaminuarit, si fëmijë a ka pas ndonjë problem në shkollë, në familje, apo komunitetin ku ka jetuar”, tha Hoxha.

Ai deklaroi se vlerësimi psikosocial i punuar nga ai, është dorëzuar të ekipi i psikiatrisë.

“Unë nuk kam dhënë mendim për gjendjen mendore të të ekzaminuarit, sepse atë e konstaton psikiatri”, tha dëshmitari lidhur me konstatimin përfundimtar në ekspertizë për gjendjen psikike të të akuzuarit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Durim Lushaj, avokati Sali Mekaj, shprehi shqetësimin për zgjatjen e këtij procesi gjyqësor, për më shumë se 5 vjet.

“Nuk është duke u gjykuar brenda afateve të arsyeshme siç parashihet me standarde për të drejtat e njeriut dhe ky proces gjyqësor, është duke zgjatur jashtë çdo afati ligjor të paraparë me kodin e procedurës penale, e kjo paraqet shkelje të së drejtave së të pandehurve për një gjykim brenda afatit të arsyeshëm, aq më tepër kur dihet se të dy janë në paraburgim gjatë kësaj kohe”, tha Mekaj.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet me 18 qershor.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Pejës, Durim Lushaj akuzohet për vrasjen e Rexhep Ramajt me armë zjarri.

I njëjti, sipas aktakuzës, pasi kishte privuar nga jeta Rexhep Ramaj, bashkë me Sali Lushajn akuzohet edhe për vrasjen e Burim Ramajt, po ashtu me armë zjarri.

Rrëfimi i dëshmitarit për vrasjen e dy vëllezërve Ramaj në Deçan