Arkiv - Gjykata Themelore e Pejës

Gjykimi për vrasjen e dy vëllezërve në Shaptej të Deçanit, gjykata sot në vendin e ngjarjes

Gjykata e Pejës sot ka dalë në vendin e ngjarjes për vrasjen e Rexhep dhe Burim Ramajt, për çka po akuzohen babë e bir, Sali e Durim Lushaj.

Vendimi për të dalë në rikonstruksion të vendit të ngjarjes, është marr nga trupi gjykues me kryetaren Violeta Husaj – Rugova.

Durim Lushaj po akuzohet për vrasjen e Rexhep dhe Burim Ramajt.

Ndërsa babai i Durim Lushajt, Sali Lushaj, po ashtu akuzohet se së bashku me Durim Lushajn kanë kryer vrasjen e Burim Ramajt.

Për këtë vrasje të dyfishtë, gjykata e Pejës në vitin 2018 e kishte shpallur fajtor Durim Lushajn dhe ndaj tij kishte shqiptuar dënim unik me 25 viteve burgim.

Fajtor ishte shpallur edhe Sali Lushaj, dhe ndaj tij ishte shqiptuar dënimi me 18 vite burgim.

Por Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale të procedurës penale dhe vërtetimit jo të plotë të gjendjes faktike.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Pejës, Durim Lushaj akuzohet për vrasjen e Rexhep Ramajt me armë zjarri.

I njëjti, sipas aktakuzës, pasi kishte privuar nga jeta Rexhep Ramajn, bashkë me Sali Lushajn akuzohet edhe për vrasjen e Burim Ramajt, po ashtu me armë zjarri.

Vrasja e vëllezërve Ramaj ka ndodhur në vitin 2016.