Vrasja e dy vëllezërve në Shaptej të Deçanit, babait dhe djalit Apeli ua vërtetoi dënimin

Gjykata e Apelit të Kosovës ka refuzuar ankesat e dy avokatëve për dy të akuzuarit për vrasjen e dyfishtë që ndodhi në fshatin Shaptej të Deçanit.

Viktima në këtë rast janë dy vëllezërit Rexhep dhe Burim Ramaj, të cilët kishin mbetur të vrarë në vitin 2016.

Të akuzuar për vrasjen e dy vëllezërve janë Sali dhe Durim Lushaj, babë e birë.

Pas vendimit që ishte marr për dënim të dy të akuzuarve, avokati i Durim Lushaj, Besnik Berisha dhe avokatja e Sali Lushaj, Kosovare Kelmendi kishin parashtruar ankesa, të cilat u refuzuan të pabazuara nga ana e apelit.

Në aktgjykimin që ka siguruar KALLXO.com tregohet se Gjykata e Apelit e a vetëtuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë të vitit 2018.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Pejës, Durim Lushaj akuzohet për vrasjen e Rexhep Ramajt me armë zjarri.

I njëjti, sipas aktakuzës, pasi kishte privuar nga jeta Rexhep Ramajn, bashkë me Sali Lushajn akuzohet edhe për vrasjen e Burim Ramajt, po ashtu me armë zjarri.

Për këtë vrasje të dyfishtë, gjykata e Pejës në vitin 2018 e kishte shpallur fajtor Durim Lushajn dhe ndaj tij kishte shqiptuar dënim unik me 25 viteve burgim.

Fajtor ishte shpallur edhe Sali Lushaj, dhe ndaj tij ishte shqiptuar dënimi me 18 vite burgim.