Teuta Arifi | Foto: BIRN

Teuta Arifi: Populli Ishte Kundër Koalicionit me Gruevskin

Duke folur për planet e mundshme të një koalicioni të drejtuar nga opozita pasi Presidenti Gjorgje Ivanov refuzoi t’ia japë asaj mandatin për ta formuar qeverinë, nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi, e cila është edhe kryetare e komunës së Tetovës, tha se “Plani B i BDI-së është i njëjtë sikur Plani A, i cili kërkon nga Ivanov t’ia japë mandatin” liderit opozitar social-demokrat, Zoran Zaev.

Zaev ka mbështetjen e BDI-së dhe dy partive tjera shqiptare në parlament, por mandati i tij është refuzuar pasi Ivanovi tha se kërkesat e shqiptarëve që Zaev i ka pranuar, paraqesin rrezik për unitetin dhe integritetin e vendit.

Arifi tha për BIRN se tani prioritet për Maqedoninë është një transfer paqësor dhe institucional i pushtetit pa ndonjë vendim të ngutshëm të ndonjërës palë.

“Qëndrimi ynë është që Ivanov duhet të vendosë absolutisht në mënyrë racionale. Kuvendi duhet të konstituohet dhe kryetari i Kuvendit duhet ta kërkojë mandatin nga Presidenti i cili duhet ta japë atë brenda 10 ditëve”, tha Arifi.

Nënkryetarja e BDI-së tha se partia e saj as ka pritur as parashikuar veton e Ivanovit ose “manipulimin e rrezikshëm të platformës shqiptare” kundër të cilës partia e krahut të djathtë VMRO DPMNE ka nxjerrë mijëra mbështetës në protesta të përditshme, duke insistuar se nëse opozita e formon qeverinë, vendi do të ndahej.

Duke argumentuar se nuk ka asgjë të rrezikshme për Maqedoninë në këtë platformë, të cilën e nënshkruan të gjitha partitë kryesore të shqiptarëve në Maqedoni, Arifi tha se ajo nuk do ta ndryshonte përmbajtjen e saj, edhe sikur të kthehej mbrapa në kohë.

“Nuk do ta ndryshoja platformën, por ndoshta do ta ftoja kryeministrin shqiptar (Edi Rama) që të vijë në Shkup, dhe ta nënshkruanim këtu”, tha ajo.

Arifi tha se BDI nuk ka qenë asnjëherë afër një marrëveshjeje me VMRO DPMNE-në e Gruevskit, ndërsa i quajti “gënjeshtra” deklaratat se marrëveshja ishte afër.

Ajo tha se partia e Gruevskit i ofroi BDI-së poste atraktive ministrore për ta arritur marrëveshjen.

“Kemi pasur një diskutim të gjatë dhe pozitat e argumentet ishin shumë të qarta. Megjithatë, personat që thane se ishim afër marrëveshjes me VMRO DPMNE, informuan në mënyrë të gabueshme”, tha Teuta Arifi.