Live - Intervistë me Bujar Osmanin, kandidatin për president nga radhët e BDI-së

Kandidati për president nga radhët e BDI-së, si dhe nënkryetari i kësaj partie, në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani ka thënë se dezinformimi është një prej armëve më të fuqishme të luftës hibride.

Ai në një intervistë dhënë emisionit #KallxoPërnime, ka shtuar se edhe Maqedonia e Veriut ka qenë pre e shumë dezinformatave, siç tha ai që vijnë nga Moska kryesisht.

“E kemi parë kryesisht gjatë referendumit për ndryshimin e emërit, bile në një mënyrë edhe ndikoi në rezultatin për shkak se dalja ishte nën pragun e nevojshëme që referendumi të jetë i suksesshëm pasi referendumi ishte për anëtarësim në NATO. E njëjta ka ndodhur edhe me marrëveshjen me Bullgarinë pasi unë e kam udhëhequr procesin e negociatave dhe këto kanë qenë ndikime ruse nëpërmjet partive politike këtu dhe kishte për qëllim të krijohej një rezistencë maqedonase ndaj këtij propozimi që unë jam i bindur që është zgjidhja më e mirë si për komunitetin maqedonas dhe për shtetin. Qëllimi ishte të pengohej anëtarësimi në Bashkimin Evropian”- tha Osmani.

Osmani që ishte edhe ministër i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, shtoi se dezinformimi ka tendenca të rritet veçanërisht gjatë zgjedhjeve pasi që siç thotë ai, esenca është të ndikohet në vullnetin elektoral.

“Për fat të keq ne kemi edhe një opozitë e cila nuk i ofron një alternativë ofertës tonë politike por merret vetëm me dezinformata e fushata”- thotë Osmani.

Osmani në këtë intervistë foli edhe për financimin e fushatës së tij për kandidaturën për president nga radhët e BDI-së.

Ai tha se këtë e bën shteti maqedonas.

“Katër partive më të mëdha politike i financon 90% të çdo reklame në media me atë që iu bëni kontratë me median, por mjetet financiare shkojnë nga Komisioni Zgjedhor direkt tek mediat”- shpjegoi Osmani në #KallxoPërnime.

Zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 24 prill dhe 8 maj 2024.