Zëdhënësi i BDI-së: Presim fitore të madhe e historike

Zëdhënësi i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi, ka thënë se presin fitore të madhe, me diferencë të madhe, në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën sot, më 24.04.2024, në Maqedoninë e Veriut.

“Ne presim të kemi fitore të madhe, me diferencë te madhe. Fitore historike. Kemi pasur një lumë njerëzish për vullnetin e tyre. Presim qe fitorja të jetë historike për kandidatin tonë Bujar Osmani” – tha Ademi në një konferencë për media.

Ai ka thënë se sipas të dhënave të tyre nga votimi i shtetasve në diasporë, Bujar Osmani radhitet i dyti dhe se presin që ai vullnet të reflektohet edhe brenda vendit pas numërimit të votave.

Ademi përgëzoi partitë politike për pjekuri demokratike dhe qytetarët që votuan kandidatin Osmani.

“Patëm një ditë të qetë zgjedhjesh ku qytetarët në numër të madh demonstruan vullnetin politik. Ky është një sukses i yni i përbashkët për të cilin përgëzoj partitë politike qe treguan pjekurinë demokratike. Duam të falënderojmë qytetarët që votuan Bujar Osmanin, dhe Frontin Evropian, vullneti juaj është regjistruar dhe do të jetë pjesë e politikave të ardhshme të Maqedonisë së Veriut” – ka thënë ai.

Qytetarët në Maqedoni të Veriut u janë drejtuar kutive të votimit sot më 24.04.2024 për të zgjedhur presidentin e shtetit.

Ekipi i KALLXO.com ka raportuar nga disa qytete të Maqedonisë së Veriut, ku gjendja ka qenë e qetë.

Sipas të dhënave nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor në nivel vendi deri në orën 17:00 kanë votuar 397.612 votues, gjegjësisht 44.18 %.

Në garë është presidenti aktual, Stevo Pendarovski, i cili është propozuar nga koalicioni për “Ardhmëri Evropiane”, që udhëhiqet nga Lidhja Socialdemokrate (LSDM).

Ndërkaq nga opozita maqedonase, nga VMRO DPMNE-ja, kandidate për presidente është Gordana Silanovska Davkova.

Kurse nga partitë shqiptare janë dy kandidatë: Bujar Osmani nga koalicioni i kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe nga opozita shqiptare koalicioni VLEN kandidon me Arben Taravarin, i cili aktualisht është kryetar i Komunës së Gostivarit.

Përveç tyre kandidatë janë edhe Maksim Dimitrievski, kryetari i Komunës së Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetari i qarkut të Karposhit në Shkup, dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”.

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni të Veriut, detaje nga Gostivari