Seanca e Kuvendit | Foto: KALLXO.com

Shtyhet votimi i rekomandimeve të interpelancës së Haradinajt për energjinë

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, si propozues i interpelancës së kryeministrit Haradinaj, në lidhje me reduktimet e ashpra të furnizimit me energji elektrike dhe situatën në sektorin e energjisë, ka paraqitur para deputetëve të Kuvendit nëntë rekomandime, të dala nga tri Grupet Parlamentare, si VV, LDK dhe GDP.

Ato i lexoi Glauk Konjufca, ku ndër to thuhet se Qeveria brenda dy jave, në bashkëpunim me menaxhmentin e KEK-ut të hartojë planin e masave për reagimin emergjent dhe afatgjatë për sigurimin e prodhimit të energjisë, si dhe të auditohet kontrata e privatizimit të distribucionit nga KEDS, e cila sipas Konjufcës nuk është bërë kurrë.

Mirëpo, në vazhdimin e seancës për interpelancë të kryeministrit Haradinaj për energjetikë në sallë ishin vetëm 43 deputetë që nuk pati kuorum për t’i votuar rekomandimet dhe për të vazhduar seanca.

“Qeveria brenda dy jave, në bashkëpunim me menaxhmentin e KEK-ut të hartoj planin e masave për reagimin emergjent dhe afatgjatë për sigurimin e prodhimit të energjisë. Pika e dytë, Zyra e Rregullatorit të Energjisë të mos pranoj kërkesa për rritjen e energjisë nga kompania KEDS-KECKO. Pika e tertë, qeveria e Kosovës të inicioj sa më shpejt rindërtimin e Termocentralit Kosova A. Pika e katërt, Ministria e Zhvillimit Ekonomik në bashkëpunim me KEK-un të përshpejtoj planin e remontit për TC Kosova B. Pika e pestë, KOSTT-i të realizoj kontraktimin e energjisë elektrike me Shqipërinë për periudhën afatgjatë. Pika e gjashtë, Qeveria të marrë masa urgjente dhe t’i aplikojë ato për stabilizimin e prodhimit të qymyrit, si dhe sanimin e ndërtimeve të kundërligjshme në Shipitullë. Pika e shtatë të auditohet kontrata e privatizimit të distribucionit nga KEDS-i, e cila nuk është bërë kurrë. Pika e tetë, ZRRE-ja ta kërkojë planin e mirëmbajtjes nga KEDS-i, në mënyrë që ta kontrolloj procesin e shkyçjeve që KESCO po i bënë pikërisht në emër të mirëmbajtjes dhe pika e nëntë dhe e fundit, ZRRE-ja t’i shqyrtojë reduktimet, çmimet e larta, tarifat për biznese që janë dukshëm më të larta, përdorimin e maksigrafit dhe kategorizimin në A plus që ndodhin dhe realizohen nga KEDS-KESCO”, tha Konjufca.

Ai tha se të gjitha këto rekomandime kanë arritur të krijojnë pajtueshmëri vetëm në taborin e opozitës, por shtoi se do të ishte mirë që këto të mbështeteshin edhe nga pozita, ngase ka vend për një pajtueshmëri edhe për deputetët të cilët e përfaqësojnë mazhorancën për të përfshirë edhe ndonjë rekomandim tjetër.

Ndërsa, për vazhdimin e seancës, kryesuesi i saj, Kujtim Shala tha se vendos Kryesia e Kuvendit./21Media