Haradinaj e Kurti polemizojnë për kapjen e shtetit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti kanë debatuar të premten në Kuvendin e Kosovës duke polemizuar për kapjen – ç ‘kapjen e shtetit.

“Kryeministri aktual i kësaj qeverie të pakicës, ju e mbani mend që para dy vitesh ata që sot i ka partnerë i ka quajtur autorë të kapjes së shtetit. Unë besoj kryeministër që shteti është i kapur. Pyetja ime është a besoni ju që Kosova vazhdon të mbes shtet i kapur siç keni thënë para dy viteve. Nëse nuk besoni a na jepni datën kur është ç `kapur”, tha Kurti.

E kur mori fjalën për replikë, kryeministri Ramush Haradinaj tha se shumë prej deklaratave të Kurtit janë të vërteta.

“Albin, shumë prej konstatimeve tuaja janë të vërteta dhe gati të pash si një lider parimor, por po i bënë do gabime faktike që nuk po të shkojnë për shtati”, tha Haradinaj.

Kryeministri pranoi që Kosova ka probleme me ligj, por nuk u përgjigj nëse shteti është i kapur, ashtu siç e pyeti deputeti Kurti.

“Se a është shteti i kapur shikojeni raportin. Kosova ka probleme me rend dhe ligj. Kemi probleme plot. A nuk po të pëlqen përgjigja”.

Por, për Kurtin kjo nuk ishte përgjigje e kënaqshme. Ai tha se sa më afër Bashkimit Evropian do të shfaqen grupet e interesit që nuk ju konvenon ky anëtarësim.

“Sa më afër që do vije anëtarësimi në Bashkimin Evropian do të shfaqen grupet e interesit që nuk ju konvenon Bashkimi Evropian. Unë nuk po them që ju frikësoheni të shkoni në Bashkimin Evropian, nuk po them që nuk doni të shkoni në Bashkimin Evropian, por dua të them që kur vijmë pranë anëtarësimit në BE, grupet e ndryshme të interesit edhe qeverisja e Kosovës do të ndodhen në konflikt interesi”, tha Kurti.

Por, kryeministri Haradinaj pranoi që Kosova është larg anëtarësimit në Bashkimit Evropian, por tha se askush nuk po frikësohet nga ky proces.

“Ne jemi bukur larg anëtarësimit në BE dhe nuk kemi pse me ju frikësu tash dhe me ju kallxu popullit që kjo klasë politike po u tutka. Hiq mos i tremb popullatën, krejt kemi me hy në BE, kemi me u kënaq. Ma mirë është për ne me hy ne BE dhe ne ta ndalin atëherë këto kriteret e punës që ne po i bëjmë sot, cilat do qofshin”, deklaroi Haradinaj.