Nitaj i kërkon deputetes së Vetëvendosjes të mos e anashkalojë edhe aferën 'Pronto VV'

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Muharrem Nitaj ka kërkuar nga deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli të flasë edhe për përgjimet e fundit të dala në media ku janë përfshirë edhe zyrtarë të këtij subjekti politik.

“ U përmendën këtu njëherë 8 milion njëherë 53 milion, u përmend Bechtel Enka por ndoshta do të ishte mirë që zonja Pacolli ta kishte vendosur në këtë listë edhe një aferë e cila ka dal kohëve të fundit, afera Pronto VV. Nuk besoj që ne duhet të jemi selektiv dhe ta sulmojmë një palë po në qoftë edhe pretendim do të ishte mirë të kishin dhënë sqarim edhe për këtë aferë”, tha Nitaj.

Nitaj këto deklarata i bëri gjatë interpelancës së kryeministrit Ramush Haradinaj për korrupsionin dhe krimin e organizuar në institucionet dhe zyrtarët e lartë të Republikës së Kosovës, i kërkuar nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.