Tryeza e mbajtur nga LDK, Foto: Kallxo.com

PDK nikoqire e takimit të partive në fillim të javës së ardhshme

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë për KALLXO.com se takimi i ardhshëm mes partive nikoqir i së cilës është partia e tij do të mbahet në fillim të javës së ardhshme.

“Mund të ua konfirmoj se ne do të ftojmë partitë politike për takimin e radhës që planifikojmë ta mbajmë në fillim të javës së ardhshme”, tha shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi.

Mbledhja e përfaqësuesuesve të partive politike për të diskutuar për temat e mëdha që e preokupojnë vendin ka filluar nga LDK.

Nga takimi i fundit që u quajt tryezë, partitë politike ishin marrë vesh që organizmin e këtyre tryezave ta bëjnë me rotacion të gjitha subjektet politike dhe grupet parlamentare.

Marrëveshja kishte qenë që takimi i radhës të bëhet nën patronatin e PDK-së.

Sot janë bërë 1 javë prej takimit të fundit që u mbajt në Kuvendin e Kosovës e që u drejtua nga nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu.

Në ftesën e LDK-së ishte shkruar se do të diskutohet edhe për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme, mirëpo pas mbledhjes palët kishin deklaruar se nuk kanë diskutuar për zgjedhjet e reja.

Sot gjatë ditës KALLXO.com ka publikuar artikullin se PDK nuk u ka dërguar ende ftesa për takimin e ardhshëm të partive.

http://kallxo.com/pdk-ende-nuk-u-ka-derguar-ftese-partive-politike-per-takimin-e-radhes/