Të Panjohura Arsyet e Vrasjes në Tentativë të Kusari-Lilës

Qupi nga Prokuroria Speciale akuzohet për vrasje të rëndë të lidhur me veprën bashkim kriminal të mbetur në tentativë dhe për armëmbajtje pa leje.

Ai në fund të janarit u deklarua i pafajshëm.

Mikel Qupi akuzohet se u mor vesh me dy shtetas të Shqipërisë për vrasjen e Mimoza Kusari-Lilës dhe një personi tjetër gjatë muajit korrik të 2015-ës.

Për vrasjen e kryetares së Gjakovës, Qupi sipas prokurorisë u premtoi 300 mijë euro dy shtetasve shqiptarë.

Në aktakuzën që e ka siguruar KALLXO.com bëhet e ditur se përveç premtimit material, Qupi ua siguroi edhe armët atyre që pritej ta vrisnin kryetaren e Gjakovës-një snajper me dy palë dylbi, njëra palë për përdorim gjatë ditës e tjetra gjatë natës, një pistoletë të tipit “Zastava” dhe një sasi prej 400 gramësh të eksplozivit C4.

Sipas aktakuzës, dy vrasjet e porositura të Qupit kishin mbetur të pakryera, pasi njëri nga të porositurit për kryerjen e këtyre krimeve ishte penduar, duke njoftuar për planet e Qupit Policinë e Shqipërisë, ndërsa më pas kjo polici kishte njoftuar Policinë e Kosovës.

Në aktakuzë nuk dihen arsyet pse Qupi kishte në plan ta vriste kryetaren e Gjakovës dhe një person tjetër.

Seanca e dytë e këtij gjykimi u caktua më 2 mars.