Newborn Ndryshon Pamje për Ditën e Pavarësisë

Qytetarët të cilët të hënën do të jenë afër Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë do të kenë mundësinë që ta ngjyrosin monumentin “Newborn”.

Në vigjilje të përvjetorit të tetë të Pavarësisë së Kosovës, obelisku simbol i ditës së shpalljes së pavarësisë, Newborn, do të ndryshojë përsëri pamjen duke u ringjyrosur për herë të katërt që nga vendosja e në vitin 2008.

Disa punëtorë sot kanë sjellë skelet dhe po e përgatisin monumentin për t’u ngjyrosur.

Fisnik Ismaili, krijuesi i monumentit, tha se edhe këtë vit ngjyrosja do të bëhet së bashku me qytetarët.

“Ngjyrosja ka me ndodh dhe ka me shpreh apo ka me përku si çdo vit me situatën nëpër të cilën Kosova po kalon”, tha Ismaili i cili tani është deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja vetëvendosje.

Autorët e dy simboleve të Pavarësisë

Ngjyrosja do të përfundojë në mbrëmjen e 16 shkurtit kurse me 17 shkurt, Ditën e Pavarësisë, partitë opozitare kanë paralajmëruar protestë.

Erzen Vraniqi, zyrtar për marrëdhënie me publikun në Komunën e Prishtinës, tha se komuna edhe në të kaluarën e ka dhënë në dispozicion hapësirën publike dhe logjistikën për festa shtetërore.

“Këtë herë gjithashtu hapësirat publike janë në dispozicion për popullin, duke e marrë parasysh se më 17 shkurt është thirrë një protestë gjithë popullore”, tha Vraniqi.

Në vitin 2014 lyerja e Newbornin me ngjyrat ushtarake të kamuflazhit kishte sjellë edhe debat pasi që disa mendonin se kjo kishte qenë  keqpërdorim i simbolit të kombit të ri.

Newborn- Lyerja Guerile Që Nxiti Debat

Instalacioni metalik me shkronja, i vendosur para Pallatit të Rinisë në Prishtinë, ishte zbuluar pikërisht në Ditën e Pavarësisë – më 17 Shkurt 2008.

Të parët që i kishin vënë nënshkrimet në të, kishin qenë kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi dhe presidenti i atëhershëm, Fatmir Sejdiu.