Newborn- Lyerja Guerile Që Nxiti Debat

Në vigjilje të përvjetorit të gjashtë të Pavarësisë së Kosovës, qytetarët e organizuar përmes Facebook-ut iu bashkuan ngjarjes për të lyer Newborn-in, monumentin e pavarësisë në Prishtinë për të ndryshuar pamjen e tij.

Secila shkronjë e fjalës tani mban kamuflimin ushtarak të shteteve që përkrahën Kosovën gjatë luftës në vitet 1998-99, e cila përfundoi pas fushatës së bombardimit të NATO-s për 78 ditë.  

“Në një mënyrë, është porosi për paqe”, tha Fisnik Ismaili, kreatori i Newborn-it dhe organizatori i lyerjes.

“Nuk do të kishim paqe pa NATO-n dhe pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës UÇK dhe kjo është koha që i përkujtojmë ata”, shtoi ai. 

Ismaili, një veteran i UÇK-së dhe anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili së fundi u zgjodh këshilltar për asamblenë komunale të Prishtinës shpjegon se modelet përfaqësojnë ushtritë e Britanisë, Zvicrës, Amerikës, Suedisë, Gjermanisë, Shqipërisë dhe Turqisë, ashtu me rend. 

Ismaili thotë se modelet e ngjyrave të ushtrisë zvicrane dhe gjermane ishin po ashtu uniformat që ishin veshur zakonisht nga ushtarët e UÇK-së, të cilët nuk kishin uniformat e tyre. 

E konceptuar dhe e ngritur në ditët para se Kosova të shpallë pavarësinë në vitin 2008, skulptura ishte për vite e pikturuar në të verdhë dhe e mbuluar me nënshkrimet dhe mesazhet nga qytetarët e Kosovës.

Ngjyra e verdhë përfaqësonte flamujt e Kosovës dhe Bashkimit Evropian, por kjo asnjëherë nuk e ka kënaqur Ismailin.

“Në fillim kam dashur që ta pikturoj në të kuqe, si ngjyrat kombëtare shqiptare”, shpjegon Ismaili. “Ta kisha ditur se duhej ta lyeja në të verdhë për shkak të flamurit të ri, s’do ta kisha bërë kurrë, sepse e urrej këtë flamur”, shton ai. 

Ismaili ka menduar fillimisht ta rilyej Newborn-in për çdo vit, por nuk ka marrë leje nga autoritetet lokale.  

Vitin e kaluar, pasi qeveria vendosi një shtresë të ngjyrës së verdhë, Ismaili vendosi të ftojë njerëz për ta mbuluar atë me flamujt e shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.  

Pasi Kosova po rritet nga një shtet i posalindur, Ismaili thotë se ai gjithashtu ka dashur të tërheqë vëmendje në faktin se shtetit ende i mungon ushtria e vet. 

“Ka qenë ngjarje rituale që të gjithë meshkujt 18 vjeçar gjatë kohës së Jugosllavisë duhej t’i bashkoheshin Ushtrisë Kombëtare të Jugosllavisë”, rikujton Ismaili.  

“Kosova është vetëm gjashtë vjet e vjetër, por duhet të jenë si vitet e qenve dhe Kosova duhej të ishte e pjekur deri më tani”, shtoi ai.

Në të ardhmen, Ismaili thotë se ka plan që të krijojë një portal online ku të gjithë mund të propozojnë dizajne për Newborn-in dhe publiku mund të votojë për ato. Ai po ashtu dëshiron të ngrisë një kiosk për të shitur suvenire me informata rreth instalacionit. 

Por puna guerile e lyerjes ka shkaktuar kritika për temën e saj ushtarake dhe ka ngritur pyetjet rreth asaj se çfarë përfaqëson obelisku dhe kush mban të drejtën për të ndryshuar pamjen e tij. 

“Nuk më pëlqen aspak”, thotë Petrit Selimi, zëvendësministër i Punëve të Jashtme dhe anëtar i partisë në pushtet PDK. 

“Nuk e kuptoj se pse një artist duhet të ketë të drejtë për të intervenuar në pronë publike. E dua në ngjyrë rozë”, thotë ai. Selimi po ashtu ka shkruar në Tëitter se atij kjo i duket “banale”. 

Albert Heta, drejtor i Qendrës për Art Bashkëkohor “Stacion” tha se pamja e re, e cila është lyer pa miratimin zyrtar qeveritar apo ndërhyrjes nënkupton “mosgatishmërinë e institucioneve shtetërore për të mbrojtur interesin publik dhe pronën publike.” 

Heta shpreh brengën se e sheh këtë si keqpërdorim të hapësirës publike nga interesat private të lidhura me pushtetin. “Zakonisht objektet e reja, ose lajmet janë të vendosura në ballinë që të shërbejnë si një maskë për të errësuar apo fshirë ngjarjet e caktuara historike”, tha ai.  

“Ky objekt… është i rëndësishëm për memorjen publike dhe hapësirën publike vetëm nëse i shërben funksionit të tij fillestar – shënimit të ngjarjes historike – Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. “Përpjekjet për të fshirë këtë ditë përmes fshirjes së një veçantie të kësaj ngjarjeje historike, janë po ashtu përpjekje për të fabrikuar histori të reja private për interesa private. Diskutimi rreth estetikës së një ndërtimi joligjor është vetëm një dëshirë për të prodhuar një mbulesë që do të errësojë problemin e vërtetë.”

Besa Luci, redaktore në magazinën Kosovo 2.0, tha se shtresa e re e ngjyrës ka nxitur pyetje rreth asaj se çfarë është Newborn-i dhe kujt i përket. 

“Gjersa paqartësia publike vazhdon të këmbëngul nëse Newborn është një monument, një vend, një shenjë, apo një skulpturë, apo nëse është një punë statike me kuptim statik – apo diçka që ka për qëllim të zhvillojë së bashku me vendin e lindjes të cilin ajo e përfaqëson – atëherë duket se Newborn-i, së bashku me intervenimet ka qenë gjithçka, por jo transparent, përfaqësues ose gjithëpërfshirës”, tha ajo.

Disa kritikë e shohin punën e lyerjes si një përpjekje nga Vetëvendosje, ku Ismaili është anëtar, për të përvetësuar për vete një tregim heroik për luftën e Kosovës për liri.

Por Ismaili e mohon këtë. “Ne nuk dëshirojmë që të kontrollojmë tregimin, dëshirojmë ta lirojmë”, thotë ai. 

“Ata veprojnë sikur të jenë të vetmit që kanë çliruar vendin”, thotë ai për partitë në pushtet, “por ende nuk ekziston ligji për veteranë dhe njerëzit e ndershëm të cilët kanë luftuar për këtë vend vazhdojnë të jenë të uritur.”