Gjykimi i policëve për marrje ryshfeti | Foto: KALLXO.com

Nesër Publikohen CD-të për Marrje Ryshfeti të 20 Policëve

Në gjykimin e 20 policëve për marrje ryshfeti nesër pritet të publikohen CD-të e provave që sipas prokurorisë do të dokumentojnë këtë vepër penale.

Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore të Prizrenit u zhvillua seanca gjyqësore ndaj 20 zyrtarëve policorë, të akuzuar për marrje ryshfeti.

NDËRLIDHUR

Sot aktakuza u cilësua e lexuar, ndërsa 18 zyrtarë policorë u deklaruan të pafajshëm.

Muhamet Buzhala dhe Alush Elshani, dy të akuzuar të këtij procesi kishin pranuar fajësinë në seancën fillestare.

Në fjalën hyrëse, prokurori i shtetit, Genc Nixha, tha se provat dhe faktet e grumbulluara të cilat do të prezantohen në procedurën e provave, do të dëshmojnë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale me të cilat i ngarkon prokuroria.

Nixha tha se pas procedimit të provave, në fjalën përfundimtare, do të kërkojë dënimin e të akuzuarve sipas ligjit.

Nga ana tjetër, mbrojtja e të akuzuarve dhe vetë të akuzuarit duke mos pranuar fajësinë, kundërshtuan aktakuzën e prokurorisë me pretendimet se gjatë procedurës së provave do të vërtetohet pafajësia e tyre dhe se do të shpallen të pafajshëm.

Shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me leximin e shkresave të lëndës, nga ana e kryetarit të trupit gjykues, Artan Sejrani.

Në fund të procesit gjyqësor, u vendos që në seancën e radhës, e cila do të mbahet më datën 8 dhjetor, gjykimi do të vazhdojë me dëgjimin dhe shikimin e CD-ve të prezantuara nga prokuroria si prova materiale, nga të cilat pretendohet se zyrtarët policorë kanë marrë ryshfet nga qytetarët.

Prokuroria e Prizrenit në aktakuzë pretendon se policët gjatë patrullimit në autostradën “Ibrahim Rugova” kanë mbledhur në mënyrë të kundërligjshme shuma të të hollave, deri në qindra euro, të cilat më pas i kanë ndarë mes vete në mënyrë proporcionale.

Të akuzuarit e këtij rasti janë; Shemsi Demolli, Safet Veliu, Naser Rama, Afrim Rafuna, Muhamet Buzhala, Ivica Djokiç, Ismail Azemi, Alush Elshani, Blerim Zylfaj, Bekim Zogaj, Qerim Beqiri, Azem Goxhufi, Ardian Rrecaj, Sasha Nedeljkovic, Shaban Gerguri, Shemsi Zejnullahu, Aziz Krasniqi, Lulzim Gashi, Shefki Zeka dhe Nuhi Zogaj.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit, gjatë muajit dhjetorit 2016, gjatë patrullimit në autostradën “Ibrahim Rugova”,  si bashkëkryerës duke vepruar në kuadër të autorizimeve zyrtare, në mënyrë të drejtpërdrejt kërkojnë dhe pranojnë dhurata nga shkelësit e rregullave të trafikut në mënyrë që të mos veprojnë në pajtim me detyrën e tyre zyrtare, duke mos u shqiptuar atyre dënimet kundërvajtëse.

KALLXO.com kishte raportuar edhe më parë për rastin e zyrtarëve policorë të akuzuar për marrje ryshfeti

Deklarohen të Pafajshëm 20 Policët e Akuzuar për Ryshfet

59 policë ishin arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar nga Inspektorati Policor nën dyshimet për marrje ryshfeti.

KALLXO.com e kishte siguruar aktakuzën ndaj tyre në të cilën mes tjerash thuhet se paratë e ryshfetit të akuzuarit, sipas prokurorisë i kishin futur edhe nëpër çorape.

Policët e Arrestuar Pranonin Ryshfet në Dinarë Serbë

07 Dhjetor 2017 - 17:07

Petrit Kryeziu 07/12/2017 - 17:07
NDËRVEPRIMI17