Ilustrim

Gjykata vendos për Beqir Hoxhën, i dyshuar për fajde

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtarja e procedurës– Ajser Skenderi, ka caktuar masën e paraburgimit, në kohëzgjatje prej një muaji ndaj të dyshuarit për fajde, Beqir Hoxha.

Paraburgimi do të llogaritet prej kohës së arrestimit 22 gusht 2023, dhe mund të zgjasë deri më datën 22 shtator 2023.

I pandehuri Beqir Hoxha, dyshohet se ka kryer veprën penale Fajdeja nga neni 331 par. 3 (Vepra penale, rezulton me humbje financiare më shumë se 25.000 Euro, ose nëse kryerësi ka realizuar dobi pasurore në shumë që tejkalon 25.000 Euro, kryerësi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet), të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se: I pandehuri B.H., nga muaji qershor 2016 deri më datë 22.08.2023, në Prizren, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarve F.S., dhe prindit të tij.

Sipas gjykatës, pasi të dëmtuarit ishin në gjendje të rëndë financiare dhe i duheshin të holla për të investuar në biznesin individual familjar, fillimisht babai i të dëmtuarit, në muajin qershor të vitit 2016 merr nga i pandehuri B.H., shumën e të hollave në vlerë prej 6,000 euro, ku me rastin e dhënies së të hollave i pandehuri 600 euro i ndal në emër të kamatës mujore dhe e paralajmëron se për çdo vonesë duhet të paguaj nga 600 euro kamata mujore.

I dëmtuari F.S., nga muaji qershor 2016 deri në muajin prill 2023, në emër të shumës së marrë nga babai i tij prej 6,000 euro vazhdon të paguaj nga 600 euro kamata mujore duke i dhënë në total të pandehurit shumën prej 49,200 (dyzet e nëntë mijë e dyqind) euro,

I gjendur në gjendje të rëndë ekonomike dhe duke mos arritur t’i paguaj shumat e kamatave, i dëmtuari F. më 18 shkurt 2018 merr nga i pandehuri B shumën e të hollave në vlerë prej 3,000 euro ndërsa në muajin mars nga i njëjti merr shumën e të hollave prej 2,000 euro, për të cilat paralajmërohet nga i pandehuri se për çdo vonesë duhet të paguaj nga 500 euro kamata mujore.

I dëmtuari nga muaji mars 2018 deri në muajin janar 2023, në emër të shumës së marrë prej 5,000 euro vazhdon të paguaj nga 500 euro kamata mujore duke i dhënë të pandehurit shumën prej 29,000 (njëzetë e nëntë mijë) euro, në total i dëmtuari paguan në emër të kamatave për të pandehurin shumën prej 78,200 (shtatëdhjetë e tetë mijë e dyqind) euro.

Tutje thuhet se kur i dëmtuari nuk arrin t’ i paguajë kamatat, i pandehuri B.H., e paralajmëron se përveç borxhit bazë të marrë në fillim, duhet të paguaj nga 200 (dyqind) euro kamata ditore, me ç’ rast nga i dëmtuari më datë 22.08.2023, i pandehuri merr 12,800 (dymbëdhjetë mijë e dyqind) euro dhe arrestohet në flagrancë.

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, gjykata ka marrë parasysh faktin se hetimet në këtë çështje penale sapo kanë filluar, do të merren në pyetje dëshmitarët eventual, do të deklarohet para Prokurorisë i dëmtuari, i dyshuari, andaj me lënien në liri të të pandehurit i njëjti mund të ndikojë në rrjedhën normale të procedurës paraprake – hetimore, duke tentuar të fshehi apo falsifikoj provat e veprës penale, apo të ndikoj në dëshmitarë – dhe të dëmtuarit.

Nga të lartcekurat gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, duke marrë parasysh faktin se i pandehuri që një kohë të gjatë është duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit në emër të kamatës, dhe ka shfrytëzuar forma të frikësimit ndaj të dëmtuarit duke e kanosur dhe duke e vënë nën presion të shpeshtë.