Ministri Shyqiri Bytyqi - Foto: KALLXO.com

Ministri i Arsimit Sugjeron Vazhdimin e Kontratës për Profesorin, Rektorati Refuzon (DOKUMENT)

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi kishte sugjeruar Universiteti ‘Haxhi Zeka’ në Pejë që të bëhet vazhdimi i kontratës së punës së Profesorit Emrush Azizoviq, i cili nuk ka Diplomë të Doktoraturës të nostrifikuar në Kosovë.

Në letërën e siguruar nga KALLXO.com ministri i shkruan Rektorit, Fadil Millaku, duke i sugjeruar që profesorit që i përket njërit nga komunitetet pakicë, ti vazhdohet kontrata pasi diploma e tij nuk mund të nostrifikohet për shkak të problemit politik mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kërkojmë nga ju të bëni vazhdimin e Kontratës së Punës së Profesorit Emrush Azizoviq edhe për një vit akademik, për arsye se ende nuk ka përfunduar procedura e Njohjes së Diplomës së Doktoratës së tij”, thuhet në letrën e dërguar më 11 janar të këtij viti.

Megjithatë, këtë letër nuk e përfilli Rektori i Universitetit, Fadil Millaku i cili tha se Profesorit Azizoviq i është ndërprerë kontrata para ardhjes së kësaj letre me vendim të Senatit të këtij universiteti.

“Senati i Universitetit nuk ia ka vazhduar kontratën dhe ai nuk punon më tek ne. Ai ka qenë Profesor i rregullt përpara por i ka përfunduar kontrata për arsye se nuk ka mundur ta nostrifikojë temën ( e Doktoraturës) dhe ne natyrisht ja kemi ndërprerë kontratën. Nuk është punëtor i ‘Haxhi Zekës’”, tha Millaku.

Ai nuk deshi të komentoj letrën e pranuar nga Ministri Bytyqi duke thënë se nuk guxojnë të shkelin ligjin.

“Nuk e di Ministri a ka qenë krejt në ngjarje por ne si Universitet pa marrë parasysh letrat nga vijnë, ne e respektojmë ligjin dhe statutin e Universitetit. Ministri është eprori jonë dhe unë nuk i komentoj letrat. Senati ka marrë vendim shumë para (ardhjes së letrës)”, tha Millaku.

Në anën tjetër, Ministri Bytyqi tha se letra ishe e karakterit sugjerues për shkak se sipas tij ka qenë edhe kërkesë e Deputetëve të Parlamentit të Kosovës.

“Ne nuk kemi kërkuar ta vazhdojnë (kontratën), por kemi kërkuar ta shqyrtojnë si situatë sepse është një profesor i pakicave dhe kemi pasë kërkesë nga Parlamenti, nga deputetët e Parlamentit. Ai ka qenë duke punuar në universitet, ne kemi kërkuar që me pa mundësinë a mund të vazhdohet si i angazhuar…Komisioni, në mbledhje të komisionit për të drejtat e njeriut është diskutuar në komision kjo çështje, ka kohë të gjatë që është diskutuar kjo çështje”, tha Bytyqi.

Ai po ashtu theksoi se nuk ka ndërhyn në vendimet e universitetit dhe sipas tij nëse ata kanë vepruar sipas statutit të universitetit, kanë vepruar drejtë.

“Ne kërkojmë shqyrtim, ata munden të kenë arsye sepse nuk e lejon statuti, vendimi është i tyre nuk është i yni, ne nuk mundemi ta dirixhojmë vendimmarrjen e universitetit. Është çështje që është pjesë edhe ministria, ministria nuk ka mundur ta nostrifikojë për shkak të problemeve që ekzistojnë prandaj ne kemi bërë një sugjerim. Nëse nuk ekzistojnë mundësitë është çështje e mbyllur”, tha Bytyqi.

Në një mbledhje të Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, deputetja Duda Balje kishte thënë se pakicat jo serbe po diskriminohen nga mundësia për të punuar me diploma të pa nostrifikuara.

KALLXO.com nuk ka mundur të vie në kontakt me profesorin Emrush Azizoviq, i cili sipas Rektorit Millaku e ka kryer Doktoraturën në Novi Pazar.

Marrëveshja mbi njohjen e diplomave në mes Serbisë dhe Kosovës nuk është zbatuar për disa vite me radhë. Si rrjedhojë shumë të diplomuar në universitetet e Serbisë dhe të diplomuar në Universitetet e Kosovës nuk mund të ushtrojnë profesionin e tyre. Problem të ngjashëm kanë të gjithë banorët e luginës së Preshevës të cilët kanë diplomuar në Kosovë. Ende nuk është sqaruar mënyra se si janë punësuar gjykatësit dhe prokurorët në veriun e Mitrovicës një pjesë e të cilëve kanë diploma të universiteteve paralele.