Universitetit i Pejës, FOTO: Facebook

‘Hem avokat – hem profesor’, auditori gjen shkelje në Universitetin e Pejës

Auditori i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka evidentuar një rast interesant në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”, gjatë auditimit të tij në vitin 2021.

Auditori ka gjetur se senati i Universitetit të Pejës kishte emëruar dy persona që ushtronin detyrën edhe të avokatit edhe të profesorit.

Sipas raportit të auditorit të siguruar nga KALLXO.com, Universiteti i Pejës fillimisht më 22 qershor të vitit 2016 ka pranuar në punë si profesor asistent një kandidat në Fakultetin Juridik, i cili sipas auditorit njëkohësisht ushtronte detyrën e avokatit.

“Edhe sipas konfirmimit zyrtar ende është aktual në odën e avokatëve pa e pezulluar punën për ushtrimin e avokatisë”, thuhet më tej në raport.

Auditori po ashtu ka gjetur se i njëjti person më pas në konkursin e ri të vitit 2020 për stafin akademik, është avancuar në profesor të asocuar nga Senati i UHZ-së.

Tutje është thënë se një rast tjetër është evidentuar edhe me një profesor të rregullt.

“Pra, dy persona ushtrojnë detyrën edhe si profesor në UHZ dhe avokatë”, thuhet në raportin e auditimit të Universitetit “Haxhi Zeka”, i cili është audituar në muajin maj të vitit 2021.

Auditori ka sqaruar se sipas shënimeve të Odës së Avokatëve të Kosovës, avokati ka qenë i regjistruar në OAK me seli të zyrës në Rahovec në vitin 1991 dhe më pas është çregjistruar në vitin 2001.

Por ai është regjistruar përsëri në regjistrin e avokatëve të OAK-së, në vitin 2003 dhe në kohën e auditimit vazhdonte veprimtarinë e avokatit me seli në Prishtinë.

Auditori ka konstatuar se kjo është në kundërshtim me Ligjin e Avokatisë dhe nga OAK nuk është bërë verifikimi i tij për t’ia hequr të drejtën e ushtrimit të avokatisë, ku neni 39, pika 1.8 thotë se “Avokati humb të drejtën për ushtrimin e avokatisë nëse themelon marrëdhënie pune, përveç zyrës së avokatisë, zyrën e përbashkët apo shoqëri të avokatëve”.

Si rekomandim, auditori i MAShTI-it ka kërkuar që t’i shqiptohen masat disiplinore të përcaktuara me Ligjin e Avokatisë.

Në komentet e tyre në këtë raport, Universiteti i Pejës ka njoftuar se më 15 korrik të vitit 2021, apo gati dy muaj pas auditimit, profesori në fjalë ka bërë kërkesë prej Odës së Avokatëve për pezullimin e ushtrimit të detyrës si avokat.

KALLXO.com ka raportuar edhe për gjetjet e auditorit për Universitetin e Gjilanit dhe do të vazhdojë t’i publikojë për universitetet e tjera rajonale.

Auditimi i MAShTI-it: Universiteti i Gjilanit ‘Kadri Zeka’ pagoi pije alkoolike me para publike