Universiteti i Pejës "Haxhi Zeka"

Auditimi i MAShTI-it, anomali rekrutimesh në Universitetin e Pejës

Auditori i Brendshëm i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në vitin 2021, ka vënë në pah, mënyrën e menaxhimit të shpenzimeve dhe personelit të Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”.

Në raportin e auditimit të siguruar nga KALLXO.com, auditori i MAShTI-it ka gjetur disa shkelje që ka bërë UHZ, gjatë periudhës 1 janar 2020 deri më 31 maj 2021.

Në gjetje janë të përfshira shpenzime të krijuara në mënyrë të parregullt: pranimi i fakturave pa zotim të mjeteve, dreka zyrtare me alkool, skadim të kontratave dhe pagesa retroaktive.

Auditori po ashtu ka bërë rishikimin dhe vlerësimin e gjitha procedurave rekrutuese në të gjitha fazat, tek të cilat ka gjetur disa shkelje, si tek administrata por edhe tek angazhimi i stafit akademik.

Shpenzimet në dreka dhe darka me alkool

Një nga gjetjet e para të auditorit të MAShTI-it është renditur shpenzimet në darka dhe dreka.

UHZ në raportin përmbledhës të shpenzimeve, total të drekave zyrtare për vitin 2020 kishte 10,627.63 euro, kurse për periudhën janar – qershor 2021 ishin 1,455.50 euro.

Sipas auditorit, UHZ-së krijoi shpenzime për dreka zyrtare jashtë rregullativës ligjore, duke mos u ditur pjesëmarrja.

Tutje është thënë se në kuadër të drekave zyrtare gjatë orarit të punës dhe jashtë saj “pas mesnate, përvec çmimit të lartë ka raste edhe konsumimi i pijes alkoolike me paranë publike, gjë që është në kundërshtim me legjislacionin”.

Auditori këtë e ka konsideruar si shkelje të rëndë në bazë të Ligjit për Zyrtarë Publik, neni 46, pika 3.11 që thotë se “përdorimi i narkotikëve dhe substancave të tjera psikotrope të ndaluara ose të alkoolit në vend të punës dhe ardhja i dehur në punë”.

Si përfundim, auditori ka thënë se shpenzimet për mostrat që i kanë identifikuar konsiderohen si shpenzime jashtë legjislacionit, ndërsa “tek drekat zyrtare ka keqpërdorim të parasë publike”.

Me kontrata mbi vepër për punë të rregullta

Auditori i MAShTI-it ka kontrolluar edhe mënyrën e rekrutimit të stafit administrativ edhe akademik të Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”.

Sa i përket rekrutimit të stafit administrativ, auditori ka gjetur se UHZ kishte punësuar punonjës me kontrata publike si konsulent dhe ekspert kontraktor individual për shërbime të veçanta.

Në vitin 2020 ishin angazhuar 24 punonjës ndërsa në periudhën janar – maj 2021, ishin 9 punonjës të angazhuar.

Auditori ka gjetur se nga ky numër në vitin 2020 ishin 12 punonjës me Marrëveshje për Shërbime të Veçanta dhe prokurim, pra të njëjtit persona janë përzgjedhur nga kontratat mbi vepër me prokurim.

Ndërsa, për vitin 2021 janë 6 punonjës që ishin me kontrata mbi vepër dhe tani përsëri të zgjedhur me prokurim.

Auditori ka konstatuar se angazhimi përmes marrëveshjeve në shumicën e rasteve nuk është bërë në pajtueshmëri me kërkesat ligjore.

“Shumica e të angazhuarve me marrëveshje ishin për mbulim të pozitave të rregullta dhe për shërbime/punë të cilat duhet të kontraktoheshin përmes procedurave të prokurimit e jo për punë apo detyra specifike”, thuhet në raportin e siguruar nga KALLXO.com

Auditori po ashtu ka gjetur edhe raste kur Universiteti i Pejës kishte shpallur konkurs të brendshëm, ndërsa kandidatët fitues janë personat e jashtëm apo persona me kontrata mbi vepër.

“Gjegjësisht 8 punonjës janë pranuar në pozita të rregullta duke qenë aplikues gjatë procedurave të rekrutimit, përsëri këta kandidatë në secilën pozitë në mënyrë që të plotësohet kriteri prej tre kandidatëve në secilin konkurs. Pra, këta punonjës tashmë të rregullt kishin aplikuar për njëri-tjetrin për të mbushur kriteret në mënyrë që të mos ketë anulim konkursi në mungesë të aplikuarve”, thuhet në raport.

Auditori ka rekomanduar nga MAShTI që të dërgoj rastin në komision disiplinor për personat përgjegjës që ndaj tyre të ndërmerren masa disiplinore.

Edhe për këtë rast, auditori ka rekomanduar që të ndërmerren masa disiplinore, pasi sipas tij, janë bërë shkelje ligjore.

Herë avokat e herë profesor – themelimi i punës pa pezullim të detyrës tjetër

Auditori i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka evidentuar një rast interesant në Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”, gjatë auditimit të tij në vitin 2021.

Auditori ka gjetur se senati i Universitetit të Pejës kishte emëruar dy persona që ushtronin detyrën edhe të avokatit edhe të profesorit.

Sipas raportit të auditorit të siguruar nga KALLXO.com, Universiteti i Pejës fillimisht më 22 qershor të vitit 2016 ka pranuar në punë si profesor asistent një kandidat në Fakultetin Juridik, i cili sipas auditorit njëkohësisht ushtronte detyrën e avokatit.

“Edhe sipas konfirmimit zyrtar ende është aktual në odën e avokatëve pa e pezulluar punën për ushtrimin e avokatisë”, thuhet më tej në raport.

Auditori po ashtu ka gjetur se i njëjti person më pas në konkursin e ri të vitit 2020 për stafin akademik, është avancuar në profesor të asocuar nga Senati i UHZ-së.

Tutje është thënë se një rast tjetër është evidentuar edhe me një profesor të rregullt.

“Pra, dy persona ushtrojnë detyrën edhe si profesor në UHZ dhe avokatë”, thuhet në raportin e auditimit të Universitetit “Haxhi Zeka”, i cili është audituar në muajin maj të vitit 2021.

Auditori ka sqaruar se sipas shënimeve të Odës së Avokatëve të Kosovës, avokati ka qenë i regjistruar në OAK me seli të zyrës në Rahovec në vitin 1991 dhe më pas është çregjistruar në vitin 2001.

Por ai është regjistruar përsëri në regjistrin e avokatëve të OAK-së, në vitin 2003 dhe në kohën e auditimit vazhdonte veprimtarinë e avokatit me seli në Prishtinë.

Auditori ka konstatuar se kjo është në kundërshtim me Ligjin e Avokatisë dhe nga OAK nuk është bërë verifikimi i tij për t’ia hequr të drejtën e ushtrimit të avokatisë, ku neni 39, pika 1.8 thotë se “Avokati humb të drejtën për ushtrimin e avokatisë nëse themelon marrëdhënie pune, përveç zyrës së avokatisë, zyrën e përbashkët apo shoqëri të avokatëve”.

Si rekomandim, auditori i MAShTI-it ka kërkuar që t’i shqiptohen masat disiplinore të përcaktuara me Ligjin e Avokatisë.

Në komentet e tyre në këtë raport, Universiteti i Pejës ka njoftuar se më 15 korrik të vitit 2021, mësimdhënësi në fjalë ka bërë kërkesë prej Odës së Avokatëve për pezullimin e ushtrimit të detyrës si avokat.

Ndryshimi i para masave pa miratim

Universiteti i Pejës kishte shpallur tender për renovim dhe adaptim të objektit të tij në vlerë prej 74,295 euro.

Por, auditori i MAShTI-it ka gjetur se gjatë implemtinimit të këtij projekti janë bërë ndryshime të sasive në pozicione sipas domosdoshmërisë, siç janë dyert lëvizëse, ndryshime të lavamanëve dhe të tjera si dhe janë shtuar riparimi i dyerve, rregullimi i nyejve sanitare, etj.

Por, auditori për këto ndryshime ka gjetur se nuk ka pasur miratim zyrtar në dosje për sasitë e ndryshuara, por vetëm njoftim tek menaxhmenti.

Auditori ka konstuar se në dosje mungon miratimi në formë të shkruar për realizimin e ndryshimeve të sasive në pozicione.

Auditori i MAShTI ka rekomanduar që menaxhmenti në vijim të dizajnoj kontrollin në atë formë dhe mënyrë në rritjen e efikasitetit të funksionimit të sistemit duke aplikuar standardin e ndarjes së detyrave të punës, autorizimeve dhe përgjegjësive.

Në lidhje me këto gjetje, KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të Universitetit të Pejës nëse janë pajtuar.

UHZ ka bërë të ditur se gjetjet janë mjaftë shqetësuese për ish-menaxhmentin, pasi tashmë UHZ ka një menaxhment të ri.

“Gjithsesi jemi të pajtuar dhe të gjitha janë reale. Gjetjet e Auditorit te Brendshëm te MASHT-it  te ish Menaxhmentit të kaluar janë mjaft shqetësuese nga shkeljet e gjetura, dhe tani kërkohet  nga i gjithë personeli i UHZ-së pavarësisht  niveleve menaxhuese të vetëdijesohet  nga shkeljet e gjetura  dhe të veprohet  në përputhshmëri  me dispozitat ligjore administrative, që këto dukuri  të mos të jenë të përsëritshme”, thuhet në përgjigjet e tyre.

Tutje theksohet se “Duke u nisur nga menaxhmenti i lartë po ashtu dhe personeli si ai akademik dhe administrativ  i UHZ-së  do të përpiqemi çdoherë  në kontributin për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e imazhit pozitiv të Universitetit Haxhi Zeka në Pejë”.

Sipas tyre, janë marrë veprime për t’i korrigjuar këto shkelje të adresuara nga Auditori i MAShTI-it.

“Të gjithat veprimet e shkelura janë marrë parasysh dhe janë adresuar dhe gjithsesi që janë marrë veprime për të korrigjuar shkeljet e raportuara sipas Auditorit të Brendshëm të MASHT-it dhe njëkohësisht menaxhmenti i UHZ-se ka shtuar kontrollin  ndaj shkelësve  eventual që të merren masa disiplinore”, thuhet më tej në përgjigjen e tyre.

KALLXO.com ka raportuar edhe për gjetjet e auditorit për Universitetin e Gjilanit dhe do të vazhdojë t’i publikojë për universitetet e tjera rajonale.