Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Mbeten në Paraburgim të Dyshuarit për Kërcënimin e Blerim Dinës

Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e avokatëve të Naim Sallahut e Shaban Lushtakut, të dyshuarve për kërcënimin ndaj shefit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Blerim Dina.

Në tetor të këtij viti, Gjykata Themelore e Prishtinës caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh për Naim Sallahun dhe Shaban Lushtakun, të cilët dyshohen se kërcënuan me jetë kreun e OSHP-së, pasi ky institucion ktheu në rivlerësim një tender.

Kundër këtij vendimi, avokatët mbrojtës Ilir Rama dhe Arianit Koci kishin parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit me pretendimin se paraburgimi ndaj të mbrojturve të tyre nuk ka mbështetje ligjore.

Por, ankesa e avokatëve Rama e Koci është refuzuar nga Gjykata e Apelit, refuzim ky i cili lë në paraburgim Sallahun e Lushtakun.

Lajmin për KALLXO.com e bëri të ditur avokati i Lushtakut, Ilir Rama që e vlerësoi të pabazuar arsyetimin e Apelit për mbajtjen në paraburgim të Sallahut e Lushtakut.

“Sipas mendimit tim Gjykata e Apelit nuk ka vlerësuar drejt ankesën time për të mbrojturin tim z. Shaban Lushtaku duke dhënë një arsyetim te pabazuar. Gjykata ka përsëritur gjërat e njëjta siç ka vepruar Gjykata Themelore ne rastin e caktimit te paraburgimit për të mbrojturin tim, pra  është një arsyetim i paqëndrueshëm”, tha Rama.

KALLXO.com ka arritur të sigurojë vendimin e Apelit, në të cilën thuhet se pretendimet e mbrojtësve nuk janë të bazuara dhe se gjykata ka arsyetuar drejtë dyshimin e bazuar se dy të pandehurit Sallahu e Lushtaku kanë kryer veprën penale detyrim, e sipas gjykatës, kusht ky qenësor për vazhdimin e paraburgimit.

Më tej, në arsyetimin e Apelit theksohet se gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejt kur dy të pandehurve i është caktuar masa e paraburgimit, “sepse me lënien e të pandehurve në liri ekziston rreziku i arratisjes së tyre duke u bazuar edhe në faktin se me të pandehurit kanë marrë pjesë në kryerje të veprës penale edhe dy persona tjerë të paidentifikuar, e të cilët gjenden ende në arrati”.

Në këtë procedurë penale pretendohet se Sallahu dhe Lushtaku kanë tentuar ta detyrojnë Blerim Dinën të kryejë veprim kundër pasurisë publike në tenderin prej 21 milionë eurosh për Autostradën Prishtinë- Gjilan.

Në kërkesën e prokurorisë për paraburgim, të cilën e kishte siguruar KALLXO.com, prokuroria ka përshkruar se është duke tentuar të zbulojë identitetin e dy personave të tjerë të cilët dyshohet të kenë gisht në këtë rast, por të cilët ende janë të paarritshëm për prokurorinë.

Në kërkesën e saj prokuroria ka përshkruar edhe veprimet e të dyshuarve. “I dyshuari Sallahu i ka thënë Dinës se “ky tender ka vlerën njëzet e një milion euro, kjo punë duhet të kryhet dhe kushton me jetë “, përshkruhej në kërkesën për paraburgim kërcënimi ndaj drejtorit të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte shkruar për tenderin e Autosttradës Prishtinë- Gjilan, i cili është kthyer në rivlerësim nga Organi Shqyrtues i Prokurimit për shkak të ankesave të disa operatorëve ekonomikë që sihin shpallur të papërgjegjshëm nga Ministria e Infrastrukturës.

Tenderi 100 Milionësh me Shkelje Ligjore

Dy të dyshuarit, sipas prokurorisë, e kishin pritur Dinën në Rrugën “Fazli Grajçevci” deri sa ai ishte duke u kthyer nga puna.

Prokuroria pretendon se fillimisht të dyshuarit kanë tentuar që ta fusin Dinën me forcë në njërin nga lokalet, e pastaj e kishin detyruar që të fliste me dikë në telefon.

“Të njëjtit, e kanë detyruar që pa dëshirën e tij, të flasë në telefonin e personit NN, ku kanë thirre një person deri tani të panjohur, nëpërmjet rrjetit ‘Whatsapp’ duke i thënë ‘për gjysmë ore takohemi te Grand Store’ thuhet në kërkesën e prokurorisë. E njëjta sqaron se Dina i ishte përgjigjur personit me fjalët “nuk takohem me askënd”.

Në dosjen e prokurorisë shpjegohet se një kalimtar i rastit ishte shpëtimtari i Dinës.

“Një kalimtar rasti, i cili duke vërejtur se diçka nuk është në rregull, ka reaguar, për çka edhe të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes”, shpjegohet në dosjen e prokurorisë.

Presionet kishin vazhduar edhe më tutje pasi Dina kur kishte arritur te banesa e tij e kishte kuptuar se Shaban Lushtaku poe  priste te dera e banesës.

“Te dera e banesës është paraqitur i dyshuari Lushtaku, i cili i është drejtuar Dinës me fjalët ‘hajde, hajde, dil pak’. Kjo gjë ka shkaktuar frikë e ankth tek Dina, pasi që i njëjti është frikësuar se do t’i shkaktojë ndonjë të keqe për jetën e trupin e tij”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Dosja e Prokurorisë për Kërrcënimin Ndaj Shefit të OShP-së

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” javën e kaluar transmetoi intervistën ekskluzive me kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku, lidhur me përfoljen se Lushtaku ishte i përfshirë në këtë tender.

Sami Lushtaku ka refuzuar të jetë i përfshirë në këtë rast, madje ka thënë se është ndjerë i befasuar me lakimin e emrit të tij.

http://kallxo.com/lushtaku-nuk-kam-gisht-ne-kercenimin-e-shefit-te-oshp-se/

Në Emision foli edhe kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit Blerim Dina që tha se nuk do t’u nënshtrohet presioneve.