Komuna e Prishtinës | Foto: KALLXO.com

LDK Kritikon Komunën e Prishtinës për Sinjalizimin e Rrugëve

Partia më e madhe opozitare në Komunën e Prishtinës ka bërë një varg akuzash në adresë të udhëheqjes komunale, të cilën e akuzon për mospunë.

Asamblistët e LDK-së pretendojnë se Komuna e drejtuar nga Shpend Ahmeti ka dështuar në mirëmbajtje të sinjalizimeve rrugore, gjë që sipas tyre paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve.

Shefi i grupit të asamblistëve të LDK-së, Agim Gashi tha se Komuna ka qenë pasive në rregullimin e sinjalizimit dhe se kryesisht janë favorizuar rrugët urbane.

“Nuk është më pak e rëndësishme një rrugë se tjetra.  Rrugët kërkojnë standarde dhe kërkojnë angazhim. Ky projekt edhe nëse tash kontraktohet nuk mundet me fillu punën për shkak të sezonit dimëror”, tha Gashi.

Akuzave të Agim Gashit, Komuna u është përgjigjur me kundërakuza rreth qeverisjes së kaluar të Prishtinës.

Adonis Tahiri, zëdhënës i Komunës, thotë se ka vonesa shumë të vogla dhe se ato do të rregullohen shpejtë.

“Rrugët rurale, kur është bërë shtrimi i tyre, është bërë edhe sinjalizimi. Kudo që mungon është problem vetëm i muajit të fundit dhe pritet të zgjidhet shpejt. Mirëpo halli i Agim Gashit dhe LDK-së nuk është sinjalizimi nëpër fshatra por është shtrimi i rrugëve që 14 vite nën qeverisjen e LDK-së kanë qenë të lënë anash”, tha Tahiri.

Megjithatë, sipas LDK-së, Komuna e Prishtinës po rrezikon jetët e qytetarëve sa më shumë që vonohen sinjalizimet rrugore.