Foto-ilustrim

Komuna e Prishtinës flet për ndaljen e punimeve në ‘Central Park’

Gjatë ditës së djeshme u raportua se inspektorë të Komunës së Prishtinës kishin ndërprerë punimet e qendrës tregtare ‘Central Park’, e cila ka nisur ndërtimin në afërsi të segmentit rrugor drejt Fushë Kosovës.

Drejtori i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri për KALLXO.com ka thënë se pezullimi i ndërtimeve është bërë përkohësisht nga Drejtoria e Urbanizmit në mënyrë që të sigurohet një pëlqim shtesë i kërkuar së voni.

“Për ndërtimin në atë pjesë ka leje ndërtimore. Mirëpo ndërkohë, leja është pezulluar përkohësisht nga Urbanizmi, me qëllim që të sigurohet edhe një pëlqim shtesë i kërkuar më vonë. Për këtë shkak, konform këtij pezullimi, kemi vepruar në terren duke i ndërprerë punimet përkohësisht, sipas procedurave që kemi si në secilin rast tjetër”, ka thënë Tahiri.

Në pyetjen nëse zona ku po kryet ndërtimi është e biznesmenit Blerim Devolli, Tahiri ka thënë se nuk u intereson ndërtuesi si emër por leja dhe ndërtimi.

“Lëndët nuk i trajtojmë sipas emrave të përveçëm, por sipas radhës dhe sipas lejes ndërtimore në secilën zonë. Sepse, neve na intereson pjesa për të cilën kemi kompetencë – pra ndërtimi – e jo ndërtuesi”, ka shtuar Tahiri.

Kallxo.com ka tentuar të kontaktojë edhe me përfaqësues të ‘Central Park’, por nuk ka marr përgjigje deri në publikimin e këtij lajmi.