Komuna e Prishtinës ndalon punimet pa leje në një objekt kolektiv banesor - VIDEO

Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri ka njoftuar se inspektorët e ndërtimit bashkë me Policinë e Kosovës, organizuan sot aksion në lagjen Dardania.

Sipas Tahirit, kanë iniciuar kallëzim penal ndaj palës i cili pas renovimeve të brendshme në objekt banesor, i ka dëmtuar e rrënuar muret e përdhesës së objektit kolektiv – pa leje përkatëse.

“Inspektori i zonës ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore me kohë, si ndërprerjen e punimeve, shqiptimin e gjobës, dhe vendimin që obligon palën për ta rikthyer objektin në gjendjen e mëparshme. Meqë pala nuk ka përfillur vendimet e urdhëresat e inspektorit, dhe ka vazhduar me punime, ndaj tij është inicuar edhe kallëzim penal”, ka thënë Tahiri në rrjetin social “Facebook”.

Tutje ai ka njoftuar se kompania e kontraktuar nga Komuna do ta bëjë muratimin e asaj pjese, kurse shpenzimet do t’i barten palës.