Autobusët e linjave Mitrovicë – Vushtrri – Prishtinë në hall nga kombi-busët ilegal

 

Shoqatës së Autobusëve të regjionit të Mitrovicës dhe kombi-busëve tash e një kohë të gjatë u ka dalë problem lidhur me çështjen e transportit në linjat Prishtinë – Mitrovicë – Vushtrri për shkak të linjave të transportit ilegal që i shfrytëzojnë qytetarët.

Shoqata e Autobusëve të Regjionit të Mitrovicë po ankohen se kombi-busët që janë të parkuar jashtë stacionit të autobusëve po i pengojnë në punën e tyre, ata po kërkojnë nga ana e organeve kompetente që të marrin masa lidhur me problemin.

Përfaqësuesit e shoqatës e po ashtu edhe vozitësit e kombi-busëve janë deklaruar lidhur me problemin që ekziston tash e sa kohë.

Naser Ahmeti dhe Hashim Miftari përfaqësues të shoqatës thonë se ky problem është që nga paslufta.

‘’Ne si shoqatë kemi bërë disa herë kërkesë në Polici, Komunë të Vushtrrisë, Komunë të Prishtinës, dhe në Ministrinë e Infrastrukturës që prej 18 dhjetorit të vitit 2020, por ende nuk kemi marrë ndonjë përgjigje nga ana e tyre’’, tha për KALLXO.com kryetari i Shoqatës, Hashim Miftari.

Po ashtu ekipi i KALLXO.com ka kontaktuar me disa vozitës të kombi-busëve lidhur me këtë çështje.

Ata në kushte anonimiteti thanë se po presin që Komuna e Vushtrrisë të zgjidh problemin e tyre.

Kjo pasi ata u zotuan që në momentin që komuna ndërton stacionin e autobusëve në Vushtrri ata do të barten aty dhe nga stacioni do të bëjnë transportin e qytetarëve në linja Prishtinë – Vushtrri dhe anasjelltas.

‘’Ne kemi bërë disa herë kërkesë që të ndërtohet stacioni i autobusëve në komunën e Vushtrrisë në mënyrë që të kemi hapësirë edhe ne si kombi-busë, në momentin që ndërtohet stacioni i autobusëve atëherë bëhet zgjidhja e problemit’’, tha njëri prej shoferëve.

Lidhur me këtë problem ekipi i KALLXO.com ka kontaktuar me zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, Drejtoritë e Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, dhe asaj të Vushtrrisë.

Çerkin Dukolli, drejtor i Departamentit në Inspektoratin e Ministrisë së Infrastrukturës ka thënë se për transportin me kombi-busëve, përgjegjëse janë komunat e Kosovës.

“Sa i përket transportit i cili realizohet me kombi-busë nëpër rrugët e Kosovës (brenda Komunave), për këtë lloj transporti përgjegjëse janë Komunat e Kosovës edhe në aspektin e nxjerrjes së Rregulloreve Komunale për transport rrugor por edhe në fushën e mbikëqyrjes së këtij transporti, Ministria certifikon automjete me së paku 17+1 ulëse”, tha ai.

Ndërsa, drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri ka thënë për KALLLXO.com se çdo dite e trajtojnë transportin ilegal, duke shpërndarë gjoba.

‘’Ne thuajse çdo ditë e trajtojmë transportin ilegal, me ç‘rast gjobiten shoferët dhe u konfiskohen targat. Mirëpo, ne merremi me pjesën e Komunës, pra mbrojmë linjat e trafikut urban, e jo linjat magjistrale. Për linjat magjistrale, përgjegjësia bie mbi inspektoratin e nivelit qendror’’, u shpreh Tahiri.

Në anën tjetër, drejtori i Inspeksionit në komunën e Vushtrrisë Agron Përçuku tha se kjo drejtori gjatë kohës së pandemisë ka pasur inspektime të kohë pas kohëshme në terren sa i përket transportit ilegal të udhëtarëve.

“Lidhur me ndalimin e transportit ilegal të udhëtarëve në regjionin Prishtinë  -Mitrovicë – Vushtrri dhe anasjelltas Inspektorati komunal i komunikacionit në Komunën e Vushtrrisë ka marrë këto masa si në vijim: Ka iniciuar disa lëndë në procedurë për Gjykatë, shqiptimi i gjobave mandatore dhe zbritje të udhëtarëve nga kombi-busët edhe pse ja vlen të cekim se udhëtaret prapë me dëshirë zgjedhin për transport kombi-busët”, u shpreh ai.

Sipas Përçukut, përgjegjëse për rrugët magjistrale është Ministria.

“Duke u bazuar edhe në Ligjin për sigurinë në Komunikacion Rrugor nr.02/L-70 si dhe Ligjin për Rrugët 2003/11 si dhe meqë është fjala është për Inspektimin si dhe ndalimin e Transportit ilegal të udhëtareve me kombi-busë duhet nisur edhe nga fakti se autoritet për rrugë publike magjistrale dhe regjionale është Ministria’’ , u shpreh për KALLXO.com drejtori Perçuku.