Mbledhja e KPK-së | Foto: KALLXO.com

KPK me Rregullore për Komunikim Pa Pyetur Mediet

Kryetari i komisionit për hartimin e kësaj rregulloreje Bahri Hyseni tha se e kanë njoftuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, por sipas tij nuk kanë pranuar asnjë koment rreth rregullores. Ai tha se rregullorja i përmbush standardet më të larta të transparencës.

“Është e rëndësishme se ne iu kemi drejtuar edhe te AGP-ja, nuk kemi marrë ndonjë koment, ndoshta edhe për faktin që i kanë pas zgjedhjet, ka rastis me qenë koha kur i kanë pasë ndryshimet në këtë institucion. Por e rëndësishme që iu kemi drejtuar këtij institucioni, por s`kemi marrë koment,” ka thënë Hyseni.

Sipas tij, kjo rregullore parasheh dhe masat disiplinore për prokurorët, po edhe anëtarët e këshillit nëse ata i shkelin rregullat e saj.

“Rregullorja përmban edhe përgjegjësi disiplinore në rastet kur dikush nuk u përmbahet dispozitave të kësaj rregulloreje, pa marrë parasysh a është i nivelit prokuror, apo në raste të caktuara edhe anëtar i këshillit, nëse nuk  i përmbahet asaj që parasheh rregullorja,” ka thënë para anëtarëve të KPK-së Bahri Hyseni.

Në mbledhjen e sotme KPK-ja ka hequr nga rendi i ditës dy pika-atë për Raportin e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimeve Ekonomike për pesë muajt e fundit dhe pikën për përcaktimin e pozitave për avancim dhe transferim të prokurorëve në prokurori.