Foto: Albin Kurti, Facebook

Shkarkime e emërime në “Trepçë”, Hyseni: Dikush po ia pi duhanin tinëz Kurtit

Të mërkurën, më 27 shtator 2023, Qeveria e Kosovës shkarkoi bordin mbikëqyrës të ndërmarrjes publike “Trepça”. Në vend të tij, Qeveria emëroi një bord të përkohshëm me mandat jo më shumë se gjashtë muaj.

Ish-kryesuesi i bordit, Bahri Hyseni, ka thënë se nuk ishin të njoftuar për shkarkim. Ai potencoi se kishte një mungesë komunikimi mes Ministrisë së Ekonomisë dhe bordit mbikëqyrës.

Ditën kur u qeveria mori vendim për shkarkimin e Bordit të cilin e kryesonte Hyseni, ishte shkarkuar ushtruesi i detyrës së kryeshefit të “Trepçës”, Enis Abdurrahmani. Bordi, tashmë i shkarkuar, kishte rënditur disa arsye për shkarkimin e U.D kryeshefit, i cili mban pozitën që gati dy vite.

“Enis Abdurrahmani si u.d i kryeshefit ka dhënë premtime në mbledhjen e fundit me 28 gusht se këshilli i punëtorëve qenka i formuar e Bordi nuk ka qenë i njoftuar. Si kryesues i Bordit kam kërkuar që të na sjell dokumentacionin, një prej arsyeve, sepse është një shkelje e rënd kur i premton Bordit dhe nuk e përmbushë atë, nuk na ka sjell asnjë informatë” – tha Bahri Hyseni.

Ai ka përmendur edhe shkelje të tjera, që sipas Bordit Mbikëqyrës, kanë dërguar te vendimi për shkarkimin e tij.

Hyseni ka shpjeguar se vendimi për shkarkimin e Abdurrahmanit u mor para se qeveria të marrë vendim për shkarkimin e Bordit Mbikëqyrës.

“Bordi ka marrë vendim në ora 10:40 kurse Qeveria ka marrë vendim për shkarkim të Bordit kah ora 11:25” – ka thënë ai për KALLXO.com.

Sipas tij, për këto zhvillime, nuk është i njoftuar kryeministri Albin Kurti.

“Dua të besoj që kryeministri Kurti nuk i informuar drejt, dikush po ia pinë duhanin tinëz. Ai le të vërteton, unë jam Bahri Hyseni i cili kur qeveria ka kërkuar njerëz apolitik, kam qenë profesionist dhe i gatshëm dhe iu kam bashkangjitur” – ka thënë ish-kryesuesi i Bordit Mbikëqyrës.

Bordi i përkohshëm Mbikëqyrës, i emëruar së fundmi nga Qeveria Kurti shfuqizoi disa vendime të Bordit paraprak, duke përfshirë edhe atë për shkarkimin e U.D kryeshfin, Enis Abdurrahmani.