Arrestohet i dyshuari, por çka deklaroi kryesuesi i Bordit të Trepçës pas hedhjes se granatës në shtëpinë e tij

Shtëpia e Bahri Hysenit, kryesuesit të bordit të Ndërmarrjes Publike “Trepça” ishte sulmuar me mjet shpërthyes, mesnatën e 31 gushtit në Mitrovicë.

Lidhur me rastin, Policia sot ka arrestuar një person të dyshuar.

Hyseni një ditë pas ngjarjes kishte dhënë detaje për sulmin që dyshohet ishte bërë me granatë dore.

Ai kishte deklaruar se nuk ka qenë në shtëpi kur ka ndodh ngjarja, por të nesërmen kishte parë pjesë të granatës në oborr.

“Ne nuk e dimë po e kemi pa pjesën e granatës që ka mbet këtu. Janë bë dëme materiale, vetura e djalit ka qenë këtu dhe vetura ime. Një xham është i thyer dhe një pikë në derën e hyrjes”- ka thënë për KALLXO.com të nesërmen.

Kryesuesi i bordit të Ndërmarrjes Publike “Trepça”, tutje kishte thënë se nuk ka ndonjë problem me personal me ndonjë njëri.

“Pa hy në detaje se kush e ka bë. Janë organet e hetuesisë. Në nuk kemi problem që është i veçantë apo personal me njerëzit. Konsideroj se si kryesues i Bordit të Trepçës po e kryj punën me integritet të plotë edhe personal. Për mos pajtimin me politika të bordit mund të ketë pakënaqësi ose reflektime të dikujt tjetër por unë jam vetëm kryesues”- ka thënë ai.

Hyseni ka shtuar se asnjëherë gjatë jetës nuk është sulmuar.

“Asnjëherë në jetën time nuk më ka sulmuar askush. Dyert e mija nuk mbyllen kurrë, ata me lehtësi kanë hy. Nuk kam pasë asnjëherë ndonjë kërcënim. Jam njeri me integritet të lartë, nuk kam lejua situata që njerëzit me pas konflikte me mu”- kishte deklaruar ai Hyseni..

Lidhur me rastin, Policia ka arrestuar një person të dyshuar me iniciale F.B., për shkak të veprave penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” etj.

“I dyshuari me vendim të prokurorit është ndaluar me dyshimin e bazuar se ka sulmuar me granatë dore shtëpinë e kryesuesit të Bordit të Trepçës”- ka njoftuar Prokuroria.

Ndaj personit të dyshuar brenda afatit të paraparë ligjor, do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit pranë gjykatës kompetente, thuhet në njoftim.

https://kallxo.com/lajm/arrestohet-i-dyshuari-per-sulmin-me-granate-dore-ne-shtepine-e-kryesuesit-te-bordit-te-trepces/