Fatura e rrymës në muajin korrik për ndërmarrjen 'Trepça'

Kriza energjetike, “Trepça” pagoi mbi 600 mijë euro faturën e rrymës në muajin korrik

Në muajin korrik, Ndërmarrja Publike “Trepça” ka shpenzuar energji elektrike në vlerë 665 mijë euro. Vlera e kësaj fature është rreth 8-fish më e madhe krahasuar me muajin korrik të vitit 2021 dhe 2020. Kjo edhe pse nga ndërmarrja thonë se shpenzimi në megavatë është më i vogël se një vit më parë apo dy vite më parë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar kryesuesi i bordit të “Trepçës”, Bahri Hyseni.

Ai ka thënë se çmimet e larta të energjisë elektrike në bursën ndërkombëtare janë arsye e vlerës së lartë të faturës në muajin korrik për këtë ndërmarrje.

“Si mund të përballohet kur vjen një vlerë aq e lartë e faturës, diku 6 deri 7-fish i normales. Çdo çmim që rritet në treg 7-fish, ajo i shkakton një çrregullim një biznesi sepse për një shpenzim të cilin e ke menduar t’i japësh 70 euro duhesh t’i japësh 470 euro” – ka thënë Hyseni.

Ndërmarrja “Trepça” është konsumator i madh i energjisë dhe rrjedhimisht rrymën e blen në tregun e lirë dhe i nuk i nënshtrohet tregut të rregulluar të energjisë elektrike në Kosovë. Njëjtë si “Trepça” është edhe Ferronikeli dhe kompania SharrCem. Meqë “Trepça” dhe dy të tjerat nuk janë konsumatorë të rregulluar, preken direkt nga rritja e çmimit të rrymës në Evropë.

“Trepça e merr rrymën nga KESCO, pra çmimi i rrymës që ne marrim hyn te pjesa që nuk është e rregulluar, domethënë i nënshtrohet berzës” – tha tutje kryesuesi i Bordit Mbikqyrës të “Trepçës”.

Për këtë, Hyseni thotë se e kanë njoftuar edhe Ministrinë e Ekonomisë. Deri më tani, sipas tij, “Trepça” ende nuk ka kërkuar ndihmë financiare nga ekzekutivi kosovar.

“Unë ia kam bo një shkresë ministries, e kemi njoftuar dhe e kam bërë një krahasim të muajit korrik të 2020, 2021 dhe 2022 dhe dallimi është drastik, është shumë i madh. Edhe pse, në sasi të shpenzimit të rrymës gjatë vitit 2022, është më e vogël sesa në 2021 për megavat. Por, shumë është 7-fish më e madhe” – thotë ai.

Në anën tjetër, menaxhmenti i “Trepçës” ka nis të marrë masa për të kursyer shpenzimin e energjisë elektrike me kërkesë të Bordit Mbikqyrës.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të kësaj ndërmarrje, Enis Abdurrahmani, tha se ka nis kursimi i energjisë elektrike në të gjitha flotacionet.

“Janë ndermarrë masa në reduktimin e shfrytëzimit të energjisë në të gjitha njesitë biznesore të Ndërmarrjës “Trepça Sh.A”, që nga reduktimi i punës në flotacione, gjithashtu në ndërtimin e një sistemi kreativ të hidrombushjes në minierë ku janë reduktuar pompat dhe puna e skipave dhe ashensorëve në minierë” – tha Abdurrahimi.

Çmimi i rrymës është rriur në shumë vende të Evropës që prej fillimit të luftës në Ukrainë. Çmimi për një megavati energji elektrike në bursën ndërkombëtare ka shkuar deri në 500 euro sot. Ndërsa në periudhën e njëjtë, vitin e kaluar një megavat është blerë për rreth 115 euro.

Për disa ditë me radhë qytetarët e Kosovës janë përballur me reduktime të energjisë elektrike për shkak se disa blloqe të termocentraleve Kosova A dhe Kosova B nuk ishin në prodhim. Për shkak të çmimeve të shtrenjta në bursën ndërkombëtare dhe problemeve financiare, KEDS-i kishte vendosur që mos të blejë energji elektrike me çmimet e bursës ndërkombëtare.

Dje, KEK-u njoftoi që janë kthyer në prodhim blloku B2 dhe A3, kështu që prodhimi aktual është rreth 800 MW/h. Pas këtij njoftimi, KEDS-i ka njoftuar se më nuk do të ketë reduktime të rrymës.

Më 24 gusht, rreth 6 muaj pas zotimit, Qeveria e Kosovës ka ndarë 41 milionë euro si pjesë e parë e subvencionit prej 90 milionë euro për sektorin e energjisë. Sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, kjo ndarje është për periudhën shkurt-korrik 2022.