Komuna e Mitrovicës nuk Sqaron Punët e Nisura Pa Kontratë

Një javë më parë kryetari Agim Bahtiri përuroi fillimin e punimeve për memorialin “Eksodi ‘99” në Mitrovicë, ende pa u përmbyllur procedurat e prokurimit të cilat do ta përzgjidhnin kompaninë fituese për ndërtimin e këtij memoriali.

Atë ditë Komuna e Mitrovicës premtoi se do ta sqarojë për KALLXO.com nisjen e këtyre punimeve pa nënshkrim kontrate me operatorin ekonomik të përzgjedhur, por në faqen zyrtare të saj në Facebook nuk tregoi pse nisën punimet pa përfunduar procedurat.

KALLXO.com kërkoi përgjigje nga komuna se si ndodhi që punimet të inauguroheshin më 25 mars, kur sipas njoftimit për dhënie të kontratave publike, kontrata për këtë memorial u nënshkrua më 19 prill me operatorin NSh “ART Merisi” në vlerën e 5,610 eurove.

Në sqarimin në Facebook, Komuna e Mitrovicës nuk iu përgjigj kësaj pyetje, por vetëm tha se nuk e ka shkelur ligjin, ndërsa e ka zgjedhur operatorin më të lirë.

“Njoftimi për kontratë është publikuar në KRPP  dhe dosjen për kuotimin e çmimit e kanë kërkuar 9 operatorë ekonomikë. Hapja publike është bërë me datën 10.03.2016 dhe i  kanë dorëzuar [ofertat]dy operatorë më çmimet 7,736.00 euro dhe Operatori Ekonomik me të cilin është nënshkruar kontrata më çmimin 5,610.00 euro, që do të thotë se operatori i dytë ka qenë më i lirë për 2126.00 euro  ndërsa vlerësimi është kryer me datën 05.04.2016 ku edhe është përzgjedhur operatori me çmimin më të lirë,” thuhej në sqarimin e komunës.

Mirëpo Sabri Behramaj pronari i firmës NSH “ART Merisi’ në Mitrovicë e konfirmoi për KALLXO.com së ka filluar punimet ende pa e nënshkruar kontratën, e më vonë doli që pikërisht kjo firmë të jetë fituese për kryerjen e këtyre punimeve.

“Ka qenë kërkesa e këshillit organizativ [të ‘Eksodit ‘99’] që të fillohen punimet ende pa e nënshkruar kontratën, pasi që në hapjen e ofertave unë kam qenë me çmimin më të lirë,” tha Behramaj.

KALLXO.com më datën 09 maj 2016 publikoi shkrimin i cili bazohej në një raportim në këtë platformë antikorrupsioni për dyshime parregullsish në këtë tender.

http://kallxo.com/bahtiri-inauguron-punimet-pa-u-mbylle-tenderi/