Mbledhja e Kuvvendit Komunal të Prishtinës | Foto: KALLXO.com

Këmbimet e Pronave Shkaktojnë Diskutime në Kuvendin e Prishtinës

Pikat 3, 4 e 5 të rendit të ditës, sipas të cilave disa qytetarë kishin kërkuar këmbim të pronave të tyre me prona komunale, shkaktuar debat në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Debati shpërtheu kur asamblisti i Partisë së Drejtësisë Leutrim Ratkoceri propozoi që këto pika të shtyhen.

Ky propozim nuk kaloi pasi kundër tij votuan 34 asamblistë, shtatë ishin për, dy abstenuan, e tetë nuk votuan fare.

Asamblisti i LDK-së Shefki Gashi tërhoqi vërejtjen që edhe në qeverisjet e kaluara të Prishtinës, por edhe në të tashmen të njëjtët njerëz po kërkojnë këmbim të pronave të tyre me ato komunale.

“Është interesant që gjërat po përsëriten. Kthehuni në arkiva që këta persona të njëjtë edhe në qeverinë e LDK dhe në qeverinë tuaj njerëzit e njëjtë këmbejnë toka. Qysh, tek, mendoni. Mos t’i heqim nga agjenda, mirëpo mos të bëjmë diskriminime tjerëve qoftë me para, qoftë me këmbim, qoftë me prona gjithnjë sipas ligjit”, tha Gashi.

Edhe Eman Rrahmani, asamblisti i Vetëvendosjes foli ngjashëm.

“Nuk jemi për bllokim, por jemi që të jemi për të gjithë me qenë të barabartë”, tha Rrahmani.

Dren Kukaj, drejtori i Pronës në Komunën e Prishtinës tregoi se qytetarët po kërkojnë të shkëmbejnë pronën e tyre me komunën për të mundësuar ndërtimin.

“Janë disa forma të kompensimit që ne i kemi trashëguar para Shpendit në kohën e Isa Mustafës. Aty meqë janë 10 parcela private ajo është një pengesë të bëhet ndërtimi. Ne e shkëmbejmë atë pronë që është aty me një tjetër. Ne këmbime kemi bërë në raste të tjera. Jemi të vetëdijshëm që humbim”, tha drejtori Kukaj.

Ndërsa Nol Nushi nga grupi i pavarur tha se një rryp toke i komunës do të këmbehet për të ndërtuar një objekt.

“Ka një javë që këto pika na kanë ardhur neve si asamblistë. Qito raste na kanë ardhur dhe aty aksidentalisht është një rryp i tokës së komunës dhe ne duhet me e këmby për me u ndërtu një objekt me standarde”, tha Nushi.

Asamblisti i PDK-së dhe ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili kërkoi transparencë rreth këmbimeve të pronave.

“Nuk është bardh e zi. Nuk është voto, ose shtyje. Ne po kërkojmë transparencë për një politikë që ti po dëshiron me e zbatu dhe që ti po thu ( drejtori Dren Kukaj) ndoshta është e mirë, ndoshta jo. Hajde të fillojmë me reformë”, tha Ismaili.

Por Nol Nushi kërkoi që njëherë të votohet për këmbim të këtyre pronave e pastaj të bëhet reformë.

“Me një mbledhje tjetër ne nuk mund të bëjmë reformë për këto çështje, andaj të votojmë sot për këto raste, e më pas mund të diskutojmë për reformë. Unë jam pro reformës”, tha Nushi.