Objekti i Komunës së Mitrovicës | Foto: KALLXO.com

Kandidatët: Komuna e Mitrovicës e Përshtati Konkursin

Ky konkurs ishte hapur më 14 prill 2016, ndërsa ende pa u mbyllur ai, kandidatët për këtë pozitë Hyrie Neziri dhe Mentor Boja raportuan në KALLXO.com emrin e personit që do të punësohej.

KALLXO.com e ndoqi pastaj çështjen e këtij konkursi nga i cili si zyrtare e shërbimeve sociale u pranua në punë Yllka Behrami, punëtorja punësimin e së cilës  e kishin paralajmëruar kandidatët për këtë pozitë Hyrie Neziri e Mentor Boja kur raportuan në KALLXO.com.

Mentor Boja thotë se kriteret e konkursit janë përshtatur për të pranuarën.

“Nga dita e shpalljes së këtij konkursi sipas meje kriteret që janë kërkuar nga ky konkurs për pozitën e kërkuar kanë qenë për të dyshuar se i janë përshtatur dikujt, ku përveçse shihet se shpallja e konkursit dhe kriteret kanë qenë të mangëta duke parë se me konkurs është kërkuar vetëm diploma niversitare, pa përvoje pune,  pa u specifikuar fushat e studimit,” shpjegon Boja.

Ai duke u lidhur me raportimin në KALLXO.com para mbylljes së konkursit, përsërit se ka qenë e ditur që Behrami do të pranohej.

“Që nga dita e parë, akoma pa filluar intervistat e kandidatëve të cilët kanë qenë në listën e ngushtë është folur dhe ka qenë e ditur se kandidatja Yllka Behrami do të pranohet shih raportimin të cilin e  kam bërë në KALLXO.com akoma pa u shpallur zyrtarisht e përzgjedhura,” thotë Boja.

Edhe kandidatja tjetër për këtë vend pune Hyrie Neziri po pretendon për përshtatje të konkursit nga komuna.

“Për vendin e punës për pozitën zyrtar për shërbime sociale,  konkursi ka qenë publik por jo i përfillur qartë, kam aplikuar me kohë dhe i kam plotësuar të gjitha kushtet për t’u zgjedhur në atë vend të punës, por komisioni kompetent ka qenë i ndikuar dhe në atë vend pune, ka përzgjedhur një kandidate të cilën e ka privilegjuar me pikë jomeritore dhe për të cilën e kemi ditur që ajo do të pranohet,” theksoi Neziri.

KALLXO.com ka provuar  të kontaktojë  të përzgjedhurën në këtë vend pune Yllka Behramin,  por ajo nuk është përgjigjur në pyetjet tona.

Blerina Kastrati, zëdhënësja e Komunës së Mitrovicës tregon se konkursi ka qenë i rregullt dhe kandidatët e pakënaqur  kanë afatin e ankesës.

“Komuna e Mitrovicës njofton se konkursi ka qenë publik dhe janë respektuar  të gjitha kriteret sipas konkursit, ndërsa secili kandidat i pakënaqur ka mundësi ligjore që të parashtrojë ankesë për të kundërshtuar procedurën, ashtu edhe përzgjedhjen,” sqaron zëdhënësja Kastrati.

Ky nuk është rasti i vetëm që në komunën e qeverisur nga Agim Bahtiri qytetarët ankohen për përshtatje të konkursit.

Edhe Ragip Hyseni më herët është ankuar në Drejtorinë e Financave në Komunën e Mitrovicës  për  përshtatje të konkursit.

http://kallxo.com/ankohet-per-pershtatje-te-konkursit-nga-komuna/