Enver Hoxhaj - Foto: Facebook

Hoxhaj: PAN i ka Numrat për Formim të Qeverisë

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enever Hoxhaj tha se koalicioni PAN, i ka numrat e nevojshëm për konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe formimin e Qeverisë së Kosovës.

Këto deklarata, Hoxhaj i dha të hënën pas mbledhjes së rregull të Kryesisë së PDK-së.

“Qëndrimi jonë është se si koalicion qeverisës i kemi votat e nevojshme që ta mbajmë seancën e parë të Kuvendit dhe ta formojmë Qeverinë”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj nuk dha datë të saktë  se kur do të mbahet mbledhja e Kuvendit për konstituimin e institucioneve të Kosovës.

“A do të ndodhë këtë javë apo gjatë ditëve të ardhshme, është temë që në detaje mund ta di edhe z. Veseli dhe z. Haradinaj, por mbi të gjitha presidenti Thaçi që me Kushtetutë i takon atij që ta bëjë hapin e parë”, deklaroi Hoxhaj.

Hoxhaj tregoi se Thaçi, Veseli e Haradinaj do ta vlerësojnë kur të mbahet seanca.

“Ne si PDK që në javën e parë pas zgjedhjeve kemi mandatuar z. Veselin si lider i koalicionit dhe z. Haradinaj si mandatar për formimin e qeverisë, që këta të jenë në kontakt të rregullt dhe të drejtpërdrejtë me Presidentin e vendit. Tash u takon këtyre treve të shohin se kur janë pjekë rrethanat dhe të mbahet seanca e parë konstituive”, deklaroi Hoxhaj.

Ish ministri i Punëve të Jashtme nga PDK-ja, tha se koalicioni PAN nuk do të shkojë në seancë nëse nuk i ka numrat.

“Nuk do të shkojmë në një seancë të Kuvendit të Kosovës pa pasur numrat e domosdosëëm parlamentar. Kjo është temë e mbyllur dhe formimi i institucioneve është temë e pandashme. Se kur do të ndodhë është çështje që si takon një nënkryetari të partisë politike të përmend”, tregoi Hoxhaj.

Nënkryetari Hoxhaj tha se koalicioni PAN është në afatin kohor zgjedhor për thirrjen e seancës së Kuvendit për formim të institucioneve të Kosovës.

“Ne jemi në afatin kohor zgjedhor dhe përtej asaj që duhet ta kemi konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë. Besoj që partnerët e koalicionit duhet të hartojnë edhe një platformë qeverisëse që besoj që do të punojmë ditëve në vazhdim”, tha Hoxhaj.

Ai tregoi se në mbledhjen e Këshillit Drejtuese të PDK-së është diskutuar edhe për strukturën e këtij subjekti politik dhe organizimin e PDK-së për zgjedhjet lokale.