Nikolla Gruevski - Foto: MIA

Gruevski Dështon ta Formojë Qeverinë

Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, e cila ishte partner i VMRO DPMNE-së në koalicionin e fundit qeveritar, njoftoi të dielën rreth mesnatës se ende nuk ka marrë vendim lidhur me formimin e një qeverie të re të kryesuar nga Gruevski.

Kjo do të thotë se Gruevski ka dështuar brenda afatit ligjor që të sigurojë shumicën prej së paku 61 deputetësh nga 120 sa ka Parlamenti dhe duhet t’ia kthejë mandatin presidentit, Gjorge Ivanov, sot.

“BDI ende nuk ka vendosur rreth ndonjërës prej pesë opsioneve që po i shqyrtojmë… sepse nuk ka argumente të mjaftueshme për të përzgjedhur ndonjërën prej tyre”, tha zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani para gazetarëve rreth mesnatës, duke shuar shpresat e VMRO DPMNE për një përgjigje pozitive.

Menjëherë pasi dëgjoi përgjigjen e BDI-së, VMRO DPMNE njoftoi përmes një komunikate se zgjedhjet e reja janë opsioni më i mirë për t’i dhënë fund krizës politike.

Më parë, BDI kishte njoftuar se kryesia e saj po i shqyrton pesë opsione: t’i bashkohet një qeverie koalicioni me VMRO DPMNE, t’i bashkohet partisë kryesore opozitare LSDM për formimin e Qeverisë, të formojë një aleancë shumë të gjerë qeveritare, të qëndrojë në opozitë, ose të shkohet në zgjedhje të reja.

Kryesia e kësaj partie i ka shqyrtuar këto opsione në takimet intensive të zhvilluara që nga e premtja dhe sipas Osmanit BDI do të vazhdojë bisedimet edhe në ditët e ardhshme.

http://kallxo.com/bdi-se-perjashton-mundesine-e-koalicionit-te-ri-gruevskin/

Sipas Kushtetutës, Gruevski tani duhet t’ia kthejë mandatin presidentit Ivanov, i cili ka dhjetë ditë kohë t’ia japë një kandidati tjetër mundësinë për të siguruar shumicën.

Për shkak të interpretimeve të ndryshme të dispozitave kushtetuese, vëzhguesit nuk janë të sigurt plotësisht nëse Ivanov do t’ia japë mandatin rivalit të madh të Gruevskit, liderit të Socialdemokratëve, Zoran Zaev, partia e të cilit LSDM doli e dyta në zgjedhjet e 11 dhjetorit 2016, në të cilat fitoi 49 deputetë.

Një mundësi tjetër është zgjedhja e një personi tjetër nga partia e Gruevskit, një lëvizje që do ta zemëronte opozitën.

Kushdo që do ta marrë mandatin do të ketë edhe 20 ditë kohë për të formuar Qeverinë, në të cilën BDI me 10 deputetë do të luajë rol kyç.

Zgjedhjet e 11 dhjetorit u mbajtën pas një krize të gjatë politike, që u krijua pas akuzave të opozitës se ish-kryeministri Gruevski është përgjegjës për një skandal të gjerë të përgjimeve ilegale, që u zbulua më 2015, dhe për një sërë çështjesh të tjera skandaloze që mund të dëgjohen në bisedat e regjistruara fshehurazi nga LSDM. Gruevski i mohon akuzat.

Në emisionin “Jeta në Kosovë“, i transmetuar më 29 dhjetor 2016, liderët e partive shqiptare të Maqedonisë Ali Ahmeti (BDI), Bilall Kasami (Lëvizja BESA) dhe Ziadin Sela (Lëvizja për Reforma – PDSH), flasin për rezultatet e zgjedhjeve të 11 dhjetorit dhe mundësitë për koalicione.

Emisionin të plotë mund ta shikoni në linkun e mëposhtëm.

Kalkulimet e Shqiptarëve të Maqedonisë