Gruaja në Skenderaj u Vra për një Telefon

Emisioni “Drejtësia në Kosovë” kësaj radhe transmetoi hulumtimin që tregoi dështimin e vazhdueshëm të institucioneve të sigurisë për të parandaluar vrasjet me motive të dhunës në baza gjinore.

Siç tregoi hulumtimi, vetëm në dy muajt fundit në vend janë shënuar dy raste ku gratë kanë përfunduar tragjikisht nga dhuna e ushtruar prej burrave të tyre.

Rasti i fundit ai në Skenderaj, ku mbeti e vrarë një grua dhe e plagosur motra bashkë me bashkëshortin, sipas pretendimeve të  para të prokurorisë flasin se vrasja e gruas dhe plagoja rëndë e dy të afërmve  nga i dyshuari Xh. T. ishte e shtyrë nga motive banale të një konflikti për një telefon.

Visar Rrecaj, avokati i të dyshuarit i cili tani është në paraburgim, nuk ka dashur të flasë lidhur me detajet, apo arsyet që quan në kryerjen e aktit nga klienti i tij Xh. T. me arsyetimin se mund të dëmtohen hetimet dhe se rasti është shumë i ndjeshëm.

Siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë” prokuroja Zejnie Kelaj në kërkesën e saj për caktimin e paraburgimit ka përshkruar se D.S dhe F.S i kishin blerë një telefon motrës së tyre- tani viktimës.

Prokuroja Kelaj përshkruan se bashkëshorti i saj Xh.T. nuk kishte qenë në dijeni për këtë dhuratë dhe kjo kishte shërbyer si motiv që ai të kryente aktin e sulmit dhe vrasjes.

“Viktimat kishin dalë për ta pritur të dyshuarin para shtëpisë së tyre. Në momentin kur ai kishte arritur aty me veturën e tij ‘Golf 2’, pa e ndalur makinën kishte shtënë në drejtim të viktimave me pushkën e tij dhjetëshe duke i lënë të dy të plagosur”.

Prokurorja Kela ka sqaruar edhe rrethanat tjera ku i dyshuari pas këtij sulmi kishte vazhduar rrugën për në shtëpi ku në rrethana mizore kishte qëlluar për vdekje bashkëshorten.

“I pandehuri është kthyer në shtëpinë e tij nga aty e ka nxjerrë nga dhoma gruan e tij duke e nxjerrë në oborr ku ka shtënë të paktën katër herë në drejtim të saj duke shkaktuar vdekjen e viktimës”, thuhet në kërkesën për caktimin e paraburgimit.

Intervistën me avokatin e të dyshuarit për vrasje mund ta ndiqni në vijim.