Gjimnazi "Hamëz Jashari", Skenderaj. Foto: KOmuna e Skenderajt

Gjimnazi me Mësimdhënës Pa Kualifikim të Duhur

Komuna e Skenderajt po i mban në punë dy mësimdhënës të psikologjisë, të cilët kanë të përfunduar Pedagogjinë. Kjo është në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ të MAShT.

Dy mësimdhënëse të pakualifikuara për pozitën e tyre janë duke punuar në Gjimnazin “Hamëz Jashari” të Skenderajt.

NDËRLIDHUR

Në këtë shkollë orët e lëndës së psikologjisë dhe logjikës ligjërohen nga dy mësimdhënëse të cilat kanë të përfunduar Pedagogjinë.

Personat që kanë të përfunduar Pedagogjinë në bazë të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Arsimit mund të punojnë në shkolla, por jo si mësimdhënës.

Një raport anonim në KALLXO.com ka ngritur dyshimet se Komuna e Skenderajt, gjegjësisht Drejtoria Komunale e Arsimit, nuk ka hapur konkurs për dy mësimdhënëse të psikologjisë dhe logjikës në Gjimnazin ‘Hamëz Jashari’.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) ka kërkuar qasje në dokumente publike, gjegjësisht në dosjen e punësimit të mësimdhënëseve të psikologjisë, pas një raportimi që ka ardhur në KALLXO.com se Komuna e Skenderajt nuk po hap konkurs për mësimdhënës të psikologjisë përkundër që është e obliguar.

Dy mësimdhënëse, njëra (M.S.) e psikologjisë dhe tjetra (A.H.) e logjikës, punojnë me normë të plotë të orëve, apo i mbajnë 20 orë pune secila.

Bazuar në dosjen e saj, M.S. është e diplomuar në Universitetin e Prishtinës dega Pedagogji.

Bazuar në aktet nënligjore të Ministrisë së Arsimit, M.S. mund të punojë në shkollë si bashkëpunëtore profesionale por jo edhe si mësimdhënëse.

Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë 06/2015 mbi normativin e kuadrit profesional, neni 6, pika 16, specifikon se të drejtë mësimdhënie në lëndën e psikologjisë për shkollë të mesme të lartë kanë vetëm të diplomuarit në Fakultetin Filozofik – Dega e Psikologjisë Shkollore dhe Psikologji Sociale-Klinike.

Sipas zyrtarit për Informim të Komunës së Skenderajt, Hajriz Koca, konkursi për këtë lëndë nuk është hapur për të mos e lënë pa punë mësimdhënësen M.S.

“Profesoresha M.S. është punësuar me datën 1 gusht 1999. Në kohën kur është punësuar nuk ka pasur kandidat me përgatitje përkatëse. Drejtimi i Pedagogjisë për atë kohë ka qenë drejtimi më i përafërt për orët e lëndës së Psikologjisë. Vazhdimisht kemi marrë rekomandime nga MASHT që asnjë mësimdhënës të mos mbetet pa punë, për këtë arsye nuk kemi hapur konkurs deri sa të bëhet një zgjidhje e përhershme për pedagogët”, tha Koca për KALLXO.com.

Ndërkohë, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk është përgjigjur nëse i ka rekomanduar komunat që mos t’i largojnë nga puna personat që aktualisht nuk kanë kualifikimin e duhur për të ligjëruar lëndë të caktuara, siç është rasti i psikologjisë dhe logjikës.

Ministria e Largon Përgjegjësinë

Ministria e Arsimit thotë se është përgjegjësi direkte e komunave për punësimin e mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë.

Faton Fetahu, këshilltar i ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, thotë se personat që e kanë përfunduar pedagogjinë mund të punojnë në shkolla si bashkëpunëtor profesional. Madje, sipas tij, Ministria është duke punuar që të rritet numri i bashkëpunëtorëve profesional (pedagogëve) nëpër shkolla.

“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për të siguruar një shërbim profesional në shkolla, me mbështetje të USAID-BEP ka përgatitur disa Udhëzues dhe ka dizajnuar një program trajnimi për pedagog e psikolog. Programi duhet të akreditohet dhe do t’ju ofrohet këtij shërbimi në nivel vendi. Ky program në mënyrë të drejtpërdrejtë ndihmon këtë shërbim të përmbush përgjegjësitë dhe obligimet e parapara me UA Nr. 34/2014”, tha Fetahu.

Bazuar në përgjigjen e Fetahut, i bie që mësimdhënësja M.S. mund të vazhdojë punën në shkollë, mirëpo si bashkëpunëtore profesionale.

Udhëzimi Administrativ i lartcekur nga Fetahu, nr. 34/2014, specifikon rolin e pedagogëve dhe Ppsikologëve në shkollë si bashkëpunëtorë profesionalë që nuk marrin pjesë në procesin e mësimdhënies.

Neni 2, paragrafi 2 dhe 3 të këtij Udhëzimi Administrativ specifikojnë rolin e profesionistëve të lartëcekur në shkolla duke i përjashtuar ata nga radhët e mësimdhënësve.

“Pedagogët dhe psikologët emërtohen si bashkëpunëtorë profesionalë. Bashkëpunëtorët profesionalë përfshihen në kuadër të shërbimit pedagogjik-psikologjik, në Ligjin për Arsimin Parauniversitar dhe në dokumente të tjera nga MASHT, përfshihen në kuadër të konceptit: Personeli profesional jomësimdhënës”, thuhet në këtë Udhëzim Administrativ.

A.H. është mësimdhënëse e logjikës në Gjimnazin “Hamëz Jashari”, por ajo është e diplomuar në Pedagogji, në Universitetin e Prishtinës.

Zëdhënësi i Komunës së Skenderajt, Hajriz Koci, tha se profesoresha vazhdon të ligjërojë lëndën e logjikës, pasi nuk ka kuadro specifike të përgatitura për ligjërimin e kësaj lënde nga shkollimi i lartë në Kosovë.

“Mësimdhënësja A.H. mban orët e lëndës së logjikës, ndërsa për këtë lëndë nuk ka drejtim adekuat, pra institucionet e shkollimit të lartë në Kosovë nuk përgatisin kuadro ekskluzivisht për lëndën e logjikës. Rrjedhimisht këtë lëndë mund ta japin kuadrot që mbarojnë për filozofi, pedagogji dhe psikologji. Derisa nuk janë profilizuar saktë mësimdhënësit që mbajnë lëndën në fjalë, A.H. ka të drejtë të ligjërojë orët e kësaj lënde”, konstatoi Koci.

Në anën tjetër, Udhëzimi Administrativ 06/2015 mbi normativin e kuadrit profesional, neni 17 përcakton se kuadrot e kualifikuara për të ligjëruar lëndën e logjikës janë të diplomuarit në Fakultetin Filozofik- Dega e Filozofisë, Dega Filozofi-Sociologji dhe Dega e Sociologjisë.

Problemi i Pedagogëve dhe Psikologëve Ende i Pazgjidhur

Të dhënat zyrtare të vitit të kaluar tregojnë se në shkollat e Kosovës janë të punësuar gjithsej 37 psikologë si bashkëpunëtorë profesionalë. Ky numër është shumë i vogël krahasuar me numrin e shkollave në Kosovë, pasi në tërë Kosovën janë mbi 1,100 shkolla.

Ndërkaq MAShT nuk ka dhënë të dhëna zyrtare për numrin e të punësuarve pedagogë në këtë rol nëpër shkolla.

Vitin e kaluar një grup i psikologëve të diplomuar protestoi para Ministrisë së Arsimit për mungesën e psikologëve në shkolla.

Labinot Guri, një psikolog i diplomuar, kishte thënë se shkollat kanë nevojë për psikolog.

“Kërkojmë që shkollat të punësojnë psikologë sepse jo vetëm që ne kemi nevojë për punë, por edhe shkollat kanë nevojë për psikologë. Numri i psikologëve është shumë i vogël në Komunat e Kosovës”, tha Guri për KALLXO.com.

Ndërkaq për çështjen e pedagogëve Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë konstatoi se ka nevojë për rritjen e numrit të punësimit të tyre, mirëpo implikimet buxhetore sipas tyre i takojnë komunave.

“Lidhur me punësimin e pedagogëve numri aktual i angazhimit të tyre në institucionet arsimore natyrisht se duhet të rritet dhe këtë planifikim MASHT e ka përcaktuar edhe me Strategjinë për Sigurimin e Cilësisë në nivelin e arsimit parauniversiar dhe aktet tjera administrative”, tha këshilltari i ministrit Bajrami, Faton Fetahu.

Por, ai i bën përgjegjëse komunat për punësimin e tyre dhe sigurimin e buxhetit për pagat e tyre.

“Punësimi i pedagogëve duhet të bëhet i mundur nga niveli lokal-komunat të cilat hartojnë kërkesat e tyre buxhetore dhe sigurojnë mjetet financiare për këtë qëllim, përmes grantit specifik për arsim, që u ndahet atyre nga Ministria e Financave, përkatësisht nga Kuvendi i Kosovës, dhe një pjesë e komunave e shfrytëzojnë këtë mundësi”, tha Fetahu.

KALLXO.com ka raportuar edhe për ankesën e një mësimdhënësi të kualifikuar, Gjon Palushaj, të cilit nuk po i ofrohen orët për të përmbushur normën mësimore.

Mësimdhënësi Padit Drejtorinë e Arsimit për Mosplotësim të Normës

 

17 Prill 2017 - 20:12

Doruntina Baliu 17/04/2017 - 20:12
NDËRVEPRIMI0

Gjimnazi me Mësimdhënës Pa Kualifikim të Duhur

by Doruntina Baliu
NA NDIQNI

Send this to a friend