Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Fadil Nura: Po hapim fabrikën e industrisë së drurit dhe parafabrikateve të betonit, do gjenerojmë 100 vende pune

Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, ka bërë të ditur se po finalizon punën për hapjen e një fabrike të industrisë së drurit dhe produkteve-parafabrikateve të betonit në komunën që drejton.

Nura përmes rrjetit Facebook potencoi se zhvillimi ekonomik dhe papunësia janë problemet më të thella me të cilat bashkëjetojnë çdo ditë.

“Në përputhje me legjislacionin në fuqi, po i adresoj Kuvendit propozim-vendimin për hapjen e fabrikës së industrisë së drurit dhe produkteve – parafabrikateve të betonit në Komunën tonë”, ka thënë Nura.

“Çështja e zhvillimit ekonomik dhe papunësia janë problemet më të thella dhe më të mprehta më të cilat po bashkëjetojmë çdo ditë. Jashtëzakonisht i lumtur që sot po e finalizoj një hap të vogël në drejtimin e duhur lidhur më këtë çështje”, shtoi tutje ai.

Sipas tij, ky është një investim në vlerën e 4 milionë eurove që do të gjenerojë 100 vende pune.

“Pra, ky është programi dhe zotimi ynë që u kishim dhënë, se nuk do ndalemi së krijuari kushte për investime në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Sa më pak fjalë e më shumë punë”, ka thënë Nura.