Foto: KALLXO.com

Komuna e Skenderajt bën vlerësimin e dëmeve nga vërshimet, kërkon kompensim nga qeveria

Një muaj pas përmbytjeve në Skenderaj, kryetari Fadil Nura ka njoftuar sot se iu janë drejtuar Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave dhe Komisionit Qendror të Qeverisë për kompensimin e dëmit në vlerën e 12,203,029.29 eurove.

Nura ka deklaruar se 372 familje janë prekur nga vërshimet e 19 janarit.

“Pas nënshkrimit të kërkesës zyrtare për kompensim të dëmeve, në një vlerësim ku ishin përfshirë njohës të fushave dhe ekspertë, duke vlerësuar kujdesshëm çdo humbje materiale, sot po u drejtohemi Agjencionit për Menaxhimin e Emergjencave dhe Komisionit Qendror të Qeverisë për vlerësim të dëmeve për fjalën përfundimtare – kompensimin e dëmit në vlerën e 12,203,029.29 milionë eurove” – ka shkruar ai në rrjetin social “Facebook”.

Skenderaj ka qenë njëra prej komunave më të prekura nga vërshimet së 19 janarit. Shtëpi, biznese, rrugë, ura, vetura, janë dëmtuar nga vërshimet. Në disa prej fshatrave më të prekura nga vërshimet për disa ditë nuk është mbajtur as mësimi.

Si shkak, Komuna e Skenderaj shpalli gjendje të jashtëzakonshme.

Komuna e Skenderajt hapi një fond për dëmet e shkaktuara nga vërshimet.

Afati i qytetarëve të prekur për të parashtruar kërkesat ka qenë i hapur nga data 23 janar dhe vlen deri më 31 janar.