Komuna e Skenderajt - kallxo.com

Skenderaj dhe Mitrovica thonë se kanë kryer obligimet ndaj kompanisë së pastrimit "Uniteti"

Kompania Rajonale e Mbeturinave ‘Uniteti’ ka njoftuar se Komuna e Skenderajt, ajo e Vushtrrisë dhe e Mitrovicës nuk i kanë kryer obligimet financiare ndaj kësaj kompanie.

Punëtorët e KRM ‘Uniteti’ për shkak të kësaj kanë paralajmëruar ndërprerje të punës.

Halit Xhema, shef i sektorit në Drejtorinë e Financave dhe Buxhetit në Skenderaj tha se sot është provuar të kryhet pagesa për borxhin ndaj KRM ‘Uniteti’ por kanë hasur në probleme gjatë transferimit duke këshilluar që punëtorët “të mos nguten”.

Ai tha se borxhi për vitin e kaluar është rreth tre mijë euro ndërsa për muajin janar tha se nuk ka ende ndonjë faturë.

“Sot është tentuar që të kryhen këto pagesa por që xhirollogaria nuk ua paska pranuar, paska pas diçka probleme. Por që ne sot kemi provuar ta kryejmë pagesën rreth 3 mijë euro, që është borxh nga viti i kaluar. Për muajin janar nuk pash ndonjë faturë”, tha ai për KALLXO.com.

Igaballe Islami, drejtoreshë për Financa dhe Zhvillim Ekonomik në Mitrovicë tha se kanë iniciuar pagesën për KRM ‘Uniteti’ dhe se këta të fundit kanë konfirmuar marrjen e pagesës.

“Pagesat sot në mëngjes janë procedu, vonesa ka qenë sepse nuk e kemi pasur të lejuar sistemin e pagesave. Por sot është bërë pagesa, pagesa ka qenë diku rreth 38 mijë ose 40 mijë euro”, tha ajo për KALLXO.com

Ndërkaq, Benjamin Shala nga Drejtoria e Shërbimeve Publike në Vushtrri tha për KALLXO.com se Komuna ka kryer pagesat.