Aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës- Foto: Lëvizja FOL

FOL, Fiton Rastin në Gjykatë Kundër Ministrisë së Infrastrukturës për Autostradën Morinë-Merdare

Me anë të një njoftimi, Lëvizja FOL ka thënë se ka fituar rastin ndaj Ministrisë së Infrastrukturës e cila para tetë viteve kishte refuzuar kërkesën për qasje në dokumente publike, konkretisht qasjes në kontratën për ndërtimin e autostradës Morinë- Merdare.

Sipas njoftimi, Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar Lëvizjen Fol në lidhje me rastin.

“Në aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, thuhet se aprovohet si e bazuar kërkesë-padia e paditësit “Lëvizjes FOL”, dhe se MTPT(tani Ministria e Infrastrukturës) detyrohet që brenda 30 ditëve ti lejoj Lëvizjes FOL që të ketë qasje në “Dosjen e tenderit për ndërtimin e autostradës për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdare dhe kopjen e kontratës për ndërtimin e kësaj autostrade””, thuhet në njoftimin e Lëvizjes FOL.

Po ashtu Lëvizja FOL ka thënë se që nga fillimi i këtij projekti kjo e fundit ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të jetë transparente në proceset tenderuese, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë.

Lëvizja FOL me anë të njoftimit ka thënë se pret që pasi ky aktgjykim të bëhet i plotfuqishëm, Ministria e Infrastrukturës të lejoj qasjen në dokumentet e kërkuara 8 vite më parë.