Gjykata merr vendim për ish-policin Dejan Pantiq, i dyshuar për sulm ndaj zyrave të KQZ-së
Ish-zyrtarit policor Dejan Pantiq, i dyshuar për sulm në zyrat e KQZ-së në dhjetor të vitit 2022, i është vazhduar masa e arrestit shtëpiak edhe për dy muaj të tjerë.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
“Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurit D.P., ashtu që masa e arrestit shtëpiak i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy)muaj” – thuhet në përgjigjen e zëdhënëses Mirlinda Gashi për KALLXO.com.
Pantiq ishte arrestuar nga Policia e Kosovës më datën 10 dhjetor të vitit 2022 për sulm në zyrat e KQZ-së në Mitrovicë.
Sulmi kishte ndodhur gjatë kohës kur zyrtarët e KQZ-së po vendoseshin në këto zyre me qëllim të kryerjes së aktiviteteve të tyre për zgjedhjet që ishin planifikuar që të mbaheshin më 18 dhjetor 2022, e që më pas u shtynë për 23 prill 2023.
Pantiqit i ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, e cila masë më 28 dhjetor të atij viti i ishte zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak e cila në janar të vitit 2023 i ishte vazhduar edhe për dy muaj, njëjtë masa e arrestit shtëpiak i ishte vazhduar edhe në mars të këtij viti.
Zëvendësimi i masës nga paraburgimi në arrest shtëpiak ishte bërë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale.