Fitorja e KF “Prishtinës” për të Luajtur në Evropë

Prishtina ka fituar Kupën e Kosovës në një atmosferë fantastike që e krijuan “Plisat” dhe “Intelektualët”, ndërsa do ta përfaqësojë shtetin në kualifikimet për Ligën e Evropës.

Ekipi kryeqytetas ka shënuar fitore me rezultat 2 me 1 ndaj Klubit futbollistik “Drita” në ndeshjen finale të Kupës së Kosovës.

Ishin mysafirët ata që realizuan të parët në minutën e 30 përmes golit të Qëndrim Sejdiut. Me këtë rezultat edhe përfundoi pjesa e parë.

Me të filluar pjesa e dytë, trajneri prishtinas ndërhyri në formacion duke sjellë freski në fushë. E ky ndërrim taktik rezultoi i suksesshëm pasi që zëvendësuesi Khalid shënoi 2 gola të shpejtë për ta përmbysur rezultatit.

Vlen të theksohet se të dy tifozëritë, “Intelektualët” e Gjilanit dhe Plisat e Prishtinës i dhanë hijeshi edhe më të madhe kësaj finaleje, të parës pas pranimit të futbollit tonë në FIFA e UEFA gjatë këtij muaji.

KF “Prishtina” kishte eliminuar skuadrën e Llapit në gjysmëfinale, ndërsa KF “Drita” ekipin e “Trepçës” nga Mitrovica.

Edhe “Ferronikeli” ka fituar të drejtën që të luajë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, pasi që javë më parë ka fituar për të dytin vit rresht kampionatin e Kosovës.