Shkëmb Manaj. Foto: Kallxo.com

Djali i Shaban Manajt: Vazhdojmë të Kërkojmë Drejtësi për Vrasjet Politike

Emisioni i fundit ‘Drejtësia në Kosovë’ transmetoi hulumtimin për situatën e krijuar pas iniciativës së disa deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, nismë e filluar me një peticion me mbi 15 mijë nënshkrime nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Familjarët nuk e fshehin frikën së ky debat ka mundur të ndikojë në dëshmitarë. Shkëmb Manaj, djali i Shaban Manajt, aktivistit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i vrarë pas luftës në Kosovë thotë se nuk ka qenë kërkesë e tyre formimi i kësaj gjykate.

“Nisma për rrëzimin e  speciales konsideroj se nuk është e mirë dhe nuk është serioze. Kjo do t’i bëjë dëm proceseve dhe do të ndikojë direkt te dëshmitarët eventualë në këtë gjykatë sepse nëse liderët kryesorë të vendit dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës tentoi ta shfuqizoj ligjin dhe ta paraqesë gjykatën si një të keqe për Kosovën, kjo do të ndikoj direkt te dëshmitarët që të mos dëshmojnë apo t’i tërheqin dëshmitë e tyre”, tha Shkëmb Manaj.

“E para, nëse tentohet të shfuqizohet ligji tentohet që kjo gjykatë mos të jetë funksionale hiç dhe e dyta kjo do të ndikojë sigurisht tek dëshmitarët të frikësohen dhe të mos dhanë dëshmitë e tyre në këto procese që do të organizohen nga kjo gjykatë”, shtoi Manaj.

Deklaratën e Shkëmb Manajt mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: