Manaj: Qeveria po e sulmon sistemin e drejtësisë

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj, ka kritikuar ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për siç ka thënë ai, “sulmet ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës”.

Manaj, në një konferencë për media të enjten mbajtuar në selinë e LDK-së, i quajti “ndërhyrje flagrante” reagimet e ministres Haxhiu gjatë ditës së djeshme kundruall KGjK-së e KPK-së.

“Lidhja Demokratike e Kosovës me shqetësim po i përcjell sulmet e ministres së Drejtësisë ndaj institucioneve të pavarura kushtetuese, ndaj Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe ndaj Këshillit Prokurorial të Kosovës. Këto sulme janë ndërhyrje flagrante në pavarësinë institucionale të sistemit tonë të drejtësisë, sulme të tilla i pengojnë institucionet e drejtësisë në punën e tyre”, deklaroi ai.

Ai ka përmendur edhe kalimin në qeveri të një dokumenti strategjik, për të cilin ka kërkuar nga ekzekutivi kosovar që ta sjell për diskutim edhe në Kuvendin e Kosovës.

“Kjo sjellje e ministres së Drejtësisë tregon qartë që kjo qeveri është e praktikantëve me mungesë të vizionit, por që sulmon çdo ditë. Kjo qeveri nuk e ka idenë si t’i qaset Vettingut në drejtësi”, tha ai.

“Ministrja e Drejtësisë si duket nuk e ka të qartë se cilat janë kompetencat e saj dhe cili është raporti i saj me KGjK-në dhe KPK-në. Nuk mjafton vetëm nxjerrja e strategjive kur nuk ka vullnet, ky dokument strategjik duhet të dërgohet në Kuvendin e Kosovës për diskutim dhe aprovim, ai duhet të marrë një mbështetje përtej një qeverie”, vlerësoi ai.

Në fund, Mnaj i ka bërë thirrje ministres Haxhiu që t’i ndal sulmet ndaj, institucioneve të pavarura të vendit.

“Këto institucione nuk fuqizohen përmes statuseve në Facebook por me veprime konkrete”, shtoi ai.