Konferenca për media e LDK-së, 24 nëntor 2022, Foto: KALLXO.com

LDK kundërshton vendimin e qeverisë për uljen e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave të prokurorëve e gjyqtarëve.

Qeveria e Kosovës të mërkurën mori vendim që t’ua ulë pagat prokurorëve dhe gjyqtarëve ashtu siç kanë qenë para vitit 2017 kur Qeveria Haradinaj kishte marrë vendim për rritjen e tyre.

Në anën tjetër, Shkëmb Manaj nga LDK-ja në një konferencë për media tha se me këtë vendim, qeveria i ka dhënë sistemit të drejtësisë goditjen më të rëndë.

“Dje qeveria e Kosovës dha goditje të sistemit të drejtësisë. Ishim në pritje të rritjes së pagave e qeveria i uli pagat. Kjo qeveri është e vetmja në botë që i ulë pagat në inflacion.  Ulja e pagave për gjyqtarët është një nga goditjet më të mëdha për insitucionet kushtetuese. Ky vendim e cenon punën e sistemit të drejtësisë

Sipas zyrtarit të kësaj partie, ulja e pagave nënkupton “stimulim të korrupsionit, goditje për vendosjen e rendit dhe ligjit. Vendimi skandaloz i ekzekutivit i ka goditur insitucionet e pavarura”- u shpreh ai.

LDK ka theksuar se Kuvendi i kosovës duhet ta marrë rolin e vet për ta ndalur këtë vendim arbitrar, ndërsa sipas tyre, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani duhet të dalë në mbrojtje të sistemit të drejtësisë. Presidëntja ta ushtrojë mandatin kushteues dhe ligjor.

“Kërkojmë që urgjentisht që të shfuqizohet vendimi dhe të ngriten pagat”- tha Manaj nga LDK.