Dënohet me Kusht Kryetari i Kllokotit

Gjykata Themelore në Gjilan dënoi sot kryetarin e Kllokotit Sreçko Spasiq me dhjetë muaj burg me kusht për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Spasiq nuk duhet të kryejë vepër tjetër penale gjatë dy vjetëve të ardhshëm nëse nuk dëshiron që ta kryejë prapa grilave dënimin që iu shqiptua sot.

“I akuzuari Sreçko Spasiq me shënimet tjera si në shkresat e lëndës është fajtor sepse duke qenë kryetar i Komunës së Kllokotit me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie pasurore për vete ose për tjetrin gjegjësisht t’i shkaktojë dëm material tani të dëmtuarve  Trajan Stojanoviqit dhe Bozhidar Dejanovit ka tejkaluar autorizimet e tij,”lexoi aktgjykimin kryetari i trupit gjykues Afrim Shala.

Shala më tutje shqiptoi edhe dënimin.

“Të akuzuarit Streçko Spasiq për shkak të veprës penale sipas dispozitivit 1 të këtij aktgjykimi për keqpërdorim të pozitës zyrtare i shqipton dënim me kusht i caktohet dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 10 muajsh i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në afat prej dy vjetëve nuk kryen vepër tjetër penale,” vazhdoi leximin Shala.

Spasiq u shpall i pafajshëm për cenim të të drejtave në marrëdhëniet e punës dhe mosekzekutim të vendimeve gjyqësore.

“Ne si trup gjykues të akuzuarin e kemi liruar nga akuza për shkak të veprës penale cenim i të drejtave në marrëdhënien e punës si dhe sa i përket dispozitivit tre të aktakuzës i akuzuari është liruar nga aktakuza,” shpjegoi Shala.

Përveç dënimit me kusht, Spasiq u obligua nga gjykata që pas plotfuqishmërisë së vendimit të paguajë paushallin prej 100 eurove për shpenzimet gjyqësore.

Prokuroria Themelore në Gjilan akuzonte Spasiqin për largim nga puna të Trajan Stojanoviqit dhe Bozhidar Dejanovit. Stojanoviq ishte drejtor në Shkollën Fillore “Marko Rajkoviq”, ndërsa Dejanov në Shkollën Ekonomiko-Teknike.

Në këtë aktakuzë Kryetari i Kllokotit përveç për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ngarkohej edhe për cenim të të drejtave në marrëdhëniet e punës dhe mosekzekutim të vendimeve gjyqësore.

Sipas aktakuzës, Spasiq largoi nga puna Trajan Stojanoviqin e Bozhidar Dejanovin më 3 shkurt 2014, edhe pse ata kishin kontratë pune deri më 2 shkurt 2015.

Aktakuza e 25 dhjetorit 2015 akuzonte kryetarin e Kllokotit Spasiq se me vetëdije nuk ka zbatuar vendimet e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës  për Shërbimin Civil të Kosovës dhe Gjykatës Themelore në Gjilan-Dega në Viti, në të cilat vendime u kërkua kthimi në punë i dy drejtorëve.

Sreçko Spasiq për akuzat me të cilat ngarkohej, ishte deklaruar i pafajshëm më 7 maj.

http://kallxo.com/kryetari-kllokotit-ndjehet-pafajshem-2/