Artistët Kërkojnë Shkarkim të Ministrit të Kulturës, Kujtim Shala

Forumi Kulturor në bashkëpunim me organizatat e pavarura të kulturës dhe artistët e lirë kërkuan sot nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, që ta shkarkojë ministrin e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shalën.

E gjithë kjo erdhi si rezultat i vendimit të ministrit Shala për të shkurtuar buxhetin ndaj festivaleve kulturore.

“Deklaratat publike dhe qëndrimi pas këtyre vendimeve të marra nga ministri i kulturës neve nuk na lënë rrugë tjetër pos që të kërkojmë nga Kryeministri i Kosovës ta shkarkojë ministrin e Kulturës në një afat sa më të shkurtë, të rishikojë këtë vendim dhe të bëjë publikë procedurat që e kanë sjellë këtë vendimmarrje”, tha Albert Heta, drejtor i Qendrës për Art Bashkëkohor në Prishtinë.

Një gjë të tillë e kërkoi edhe Drejtoresha e Festivalit “Skena Up”, Hana Qena.

“Festivali Skena Up kërkon nga kryeministri Isa Mustafa me shkarku zotëri Kujtimin (Shalën)”, u shpreh Qena.

Ndërkaq Heta u shpreh se Ministri Kujtim Shala u ka shkurtuar buxhetin ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në Kosovë.

“Bazuar në listën e publikuar, vërehet qartë që ngjarjeve më të rëndësishme të kulturës në Kosovë që organizohen nga institucionet e pavarura të kulturës, ministri i kulturës ka shkurtuar buxhetin madje në disa raste edhe drastitkisht duke mos ndarë fare buxhet për punën e tyre”, shtoi Heta.

Ndërkaq, Drejtoresha e Festivalit “PriFilmFest”, Vjosa Berisha tha se ky festival është anuluar këtë vit në shenjë proteste për ta ‘emigruar’ atë në Tiranë.

“Nuk jemi duke shkuar në Tiranë edhe me mbajt në Tiranë festivalin, festivali ka me qenë në shenjë proteste vetëm dy ditë atje. Kjo është protestë që e bëjmë për këtë vendim”, shtoi Berisha.

E në rast mos shkarkimi të Ministrit të Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shalës, këta arstistë do të kërkojnë tërheqjen e gjithë përfaqësuesve të shoqërisë civile në të gjitha mekanizmat e Qeverisë.

“Nëse nuk shkarkohet ministri ne do të kërkojmë së pari tërheqjen e gjithë përfaqësuesve të shoqërisë civile në të gjitha mekanizmat e qeverisë duke përfshirë këshillat e institucioneve publike të kulturës sepse kjo është goditje në shoqërinë civile, në veprimtarinë e lirë shoqërore”, u shpreh Albert Heta.