Pamje nga konferenca e organizuar nga OSBE - Foto: KALLXO.com

Arsimimi, Strumbullar i Bashkëveprimit Mes Komuniteteve

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mbajtur një konferencë për të promovuar dialogun, mirëkuptimin dhe tolerancën ndërmjet komuniteteve përmes arsimimit.

Në këtë diskutim u tha se toleranca, mirëkuptimi dhe dialogu ndërmjet komuniteteve në Kosovë mund të përmirësohen përmes aktiviteteve brenda dhe jashtëkurrikulare, zhvillimit të teksteve shkollore, trajnimit të mësimdhënësve dhe mësimit të gjuhëve të ndryshme.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, tha se Kosova është në një nivel i cili është përcaktuar për një diversitet etnik dhe se Kushtetuta e Kosovës bazohet krejtësisht në frymën qytetare, në frymën evropiane, në bashkëjetesën e gjashtë komuniteteve të bashkuara, të cilat ndërtojnë një Kosovë të re, e cila nuk do të merret me të kaluarën por me të ardhmen e saj.

“Kjo iniciativë e OSBE-së njëkohësisht është edhe qasje që e kemi në Ministrinë e Arsimit në promovimin e politikave të përfshirjes së të gjitha komuniteteve në një arsim cilësor dhe një proces të edukimit, ku secili ka mundësi të edukohet në gjuhën e vet, të ruajë dhe të mbrojë identitetin e vet, të promovojë kulturën e vet dhe një mundësi të tillë ne duhet ta ofrojmë në të gjitha nivelet e arsimit, nga niveli parashkollor deri te niveli universitar”, tha ministri Bajrami.

Sipas tij, qëllimi i MASHT-it në këtë fushë është integrimi i të gjitha komuniteteve në sistemin arsimor, duke respektuar dallimet në gjuhë, kulturë, histori dhe në art, përmes respektimit të të cilave promovohet identiteti kombëtar i të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Në këtë konferencë u përmendën edhe pesë fushat e fokusit për përmirësim të dialogut me anë të arsimit, duke u bazuar në dokumente ndërkombëtare të cilat janë bashkëveprimi i nxënësve, mësimi i gjuhës, zhvillimi i kurrikulave, përpilimi i teksteve shkollore dhe trajnimi i mësimdhënësve.

I pranishëm në këtë panel ishte edhe shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jan Braathu, i cili tha se sipas tij fjala “tolerancë” nuk është fjalë e duhur për përdorim në këtë rast, pasi që pikërisht kjo tregon dallimin dhe mosrespektimin ndaj komuniteteve, por në vend të kësaj duhet të përdoret fjala respekt.

“Dialogu dhe pajtimi i vërtetë duhet të bëhet në rrugë, në fshatra, në klasa çdo dite. Kjo nuk është diçka që mjaftohet me pak dhe që mund të bëhet vetëm në mënyre teorike apo akademike, por duhet zbatuar edhe në praktikë”, ka thënë ambasadori Jan Braathu.

Redaktoi: Naser Sertolli