Ambasadori Italian: Diplomatët Nuk Duhet të Komentojnë Çështjet e Brendshme

 

Në ditën e dytë të takimeve me ambasadorë, kryeparlamentari i vendit Kadri Veseli u takua sot me tre diplomatë evropianë.

Ambasadores gjermane në Kosovë, Angelika Viets, i shkoi në konak, ndërsa priti italianin Andreas Ferrarese dhe francezen Maryse Daviet.

Pas takimit, ambasadori italian Ferrarese e cilësoi si “interesant” takimin me kryeparlamentarin.

Por kur u pyet për zgjedhjen e Presidentit dhe zgjedhjet e parakohshme tha se ajo nuk është punë e tij.

“Nuk është punë e imja te flas për Presidentin. Krye parlamentari i shpjegoi vetëm procedurat të cilat do të ndiqen dhe që procesi do të jetë transparent dhe në përputhje me ligjin që unë jam i sigurte që do të jetë”, tha Ferrarese.

Por ai u tregua i rezervuar të komentojë më tej.

“Diplomatët nuk duhet të komentojnë çështjet e brendshme, kjo është në dorën e parlamentit dhe njerëzve tuaj”, tha ai.

Në komunikatën për media të zyrës së Veselit pas këtyre takimeve është thënë  se  ai vlerëson qasjen aktive të ambasadorëve në raport me situatën e krijuar, por tregon edhe shqetësimet e tyre.

“Ambasadorët shprehen shqetësimet e qeverive të tyre përkatëse për këto zhvillime, duke theksuar se pamjet e dhunshme në Kuvendin e Kosovës janë të papranueshme dhe të dhimbshme, me efekte të dëmshme, jo vetëm për funksionimin demokratik të institucioneve, por edhe për proceset integruese të Kosovës, në radhë të parë, procesin e liberalizimit të vizave”.

Pas tyre në takim me Veselin erdhi edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar. Por pas më shumë se një ore takim, ai nuk doli të flasë para mediave.

Dje, Veseli u takua me ambasadorin amerikan, norvegjez dhe atë britanik.